Nishani pritje për 101-vjetorin e pavarësisë: Politika të qëndrojë larg konflikteve

Të ndarë gjatë ditës, mazhoranca dhe opozita kanë mundur të bëhen bashkë në kurorëzimin e festimeve për 101 vjetorin e pavarësisë vetëm në pritjen e zhvilluar nga Presidenti i vendit Bujar Nishani në Pallatin e Brigadave. E ndërsa i kishte përballë, nuk mund të mos u përcillte dhe një mesazh në këtë faqe të re të kapitullit, vitin e parë të shekullit të dytë si shtet.“Me kohën lart, vështrimin përpara pa harruar ndonjë vështrim pas, tash e tutje duhet të kujdesemi dhe punojmë për më tepër begati, liri, shpresë, prosperitet. Mosmbetja prapa zhvillimeve globale ndaj një bote që ndryshon, ndryshon furishëm ,kërkon shumë përkushtim, shumë idealizëm, sfida të vështira kemi përpara. Të vijojmë me reformat e nevojshme, të vijojmë reformën arsimore që shkollat të na prodhojnë njerëz të thellë në dije dhe mendime, të aftë për të përballuar sfida të mëdha , të punëve të mëdha të së nesërmes. Të bëjmë çmos të zbusim klimën politike ndërpartiake, të ndërtojmë strategji të mira punësimi për të evituar sa të mundim pak nga pak lëmoshat e padenja dhe joefikase, asistenciale. Të vazhdojmë të punojmë edhe më tepër për sa na ka mbetur për afrimin me Europën” tha ai.Duke kthyer në retrospektivë, Kreu i Shtetit vlerësoi se është dashur shumë pune, por nuk ka harruar të sjellë në vëmendje dhe copëtimin e trojeve shqiptare. Përtej kësaj padrejtësise të kohës, Nishani tha se “rëndësi ka që shtetin e bëmë, shtetin e kemi dhe që ta mbajmë duhet ti shërbejmë”.“101 vjet më parë burra të shquar dhe të lavdishëm shqiptarë, të zotë të penës dhe të pushkës që për Shipërinë vetëm jepnin dhe për të marrë as u shkonte mendja, bënë të mundur shpalljen e shtetit shqiptar. Nga koha kur me 28 nëntor 1912 me shtizën e duhur dhe në lartësinë e merituar Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar. Për të ardhur sot në këtë 101 vjetor u deshën shumë përpjekje, shumë mundime, shumë lodhje dhe shumë sakrifica. Arritëm këtu shpejt apo ngadalë, me apo pa gabime, për meritë të vetes por dhe ndihmesën e të tjerëve, këto tashmë kanë rëndësinë e vetë si histori. Në atë kohë kufinjtë e shtetit shqiptar u vendosën nga fuqitë e mëdha që lanë padrejtësisht jashtë trungut troje shqiptare. Përtej padrejtësise të kohës, rëndësi ka që shtetin e bëmë, shtetin e kemi dhe që ta mbajmë duhet ti shërbejmë” u shpreh Presidenti.Për tu bërë ballë sfidave të së ardhmes, Presidenti Nishani, ka theksuar domosdoshmërinë e edukimit të brezit të ri si dhe ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore.“Të kujdesemi për fëmijët dhe në përgjithësi për brezin e ri, që brezi i ri të jetë i pajisur me vlera qytetare, edukatë, respekt, dashuri për dije, patriotizëm, pasion për punë, në të kundërt skemi pse habitemi kur të rinjtë na vriten në kafene, në aksidente rrugore apo nga krimi në familje. Të kujdesimi më tepër për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe ta pasurojmë atë trashëgimi se nëse nuk prodhojmë kulturë për t’ia shtuar trashëgimisë nuk i kemi dhënë asgjë kombit, është njëlloj sikur nuk kemi bërë asgjë sepse kultura mbetet të gjitha të tjerat konsumohen. Vetëm në këtë mënyrë do të mundësojmë stabilitetin më të madh, progres më të harmonishëm në të gjitha nivelet dhe të gjitha fushat, ndërkohë ti promovijmë dhe ti shtojmë vlerat kombëtare por pa e tepruar, në mënyrë dhe masë të ekuilibruar. Se diktatura merret me veten, demokracitë funksionojnë në harmoni edhe me të tjerët, demokracitë ecin më fuqishëm sëbashku, me fqinjët sidomos me të cilët duhet të jemi mirëkuptues dhe bashkëpunues në të gjitha aspektet. Në fund të fundit sado të vjetër dhe të lavdishëm, me gjuhë të pasur, kulturë dhe histori të lashtë jemi një komb si gjitha kombet e tjera” tha më tej Nishani.Me urimin për të qenë gjithmonë bashkë si në ditë festash, Nishani e përfundoi fjalimin e tij me porosinë “ta bëjmë Shqipërinë vendin e njerëzve që Shqipëria meriton”.“Duhet të kthejmë sytë nga vetja, të përveshim llërët, të ndreqim gabimet dhe të ecim përpara. Të mos lejojmë që Shqipëria të bëhet atdheu i njerëzve sipërfaqësorë, të babëzitur për pasuri materiale, vendi i i luftës së papërmbajtur politike, fushëbetejë e fanatikëve të çdo lloji, ta bëjmë Shqipërinë vendin e njerëzve që Shqipëria meriton, vendin e njerëzve seriozë dhe të përmbajtur, vendin e njerëzve zemërmëdhenj, me shpirt fisnik që punojnë shumë, mendojnë pak për vetë dhe shumë për të tjerët, që e duan Atdheun, që njohin meritën e tjetrit dhe nuk e teprojnë me të drejtë. Gëzuar dhe gjithmonë qofshim bashkë!”

Të pranishëm në pritjen tashmë traditë që organizohet çdo vit për festat e nëntorit ishin të pranishëm krerët më të lartë të qeverisë dhe diplomacisë, deputetë të Kuvendit shqiptar, përfaqësues të komuniteteve fetare, etj.