Kuvendi miraton unanimisht rezolutën për proçesin e integrimit europian të Shqipërisë

Në një seancë maratonë, Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi sot mocion me debat për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Debati cili zgjati për më shumë se 6 orë, ishte kërkuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.Në paraqitjen e kërkesës për zhvillimin e këtij debati dhe miratimin e tekstit të rezolutës përkatëse, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike,  Edi Paloka vuri theksin në angazhimin e partisë më të madhe të opozitës për të mbështetur vazhdimin e proceseve integruese me synim anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si aspiratë e padiskutueshme e mbi 87% të qytetarëve shqiptarë.Gjatë debatit, i cili përfshiu përfaqësues të qeverisë dhe të gjitha grupeve parlamentare, u ngritën një sërë çështjesh vendimtare në çuarjen përpara të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian: forcimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat në ekonomi, drejtësi dhe në sektorë të tjerë me impakt direkt në mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, etj.Në fjalën e saj, Ministrja e Integrimit,  Klajda Gjosha vuri në dukje se procesi i integrimit është një faktor kyç i axhendës kombëtare dhe një prioritet i të gjitha qeverive shqiptare. “Integrimi është një prioritet madhor i kësaj qeverie dhe një kërkesë direkte e qytetarëve shqiptarë,” tha ndër të tjera, znj. Klajda Gjosha.Pasi bëri një paraqitje të hapave të ndërmarrë nga Ministria e Integrimit për të koordinuar punën e të gjitha institucioneve të përfshira në procesin e integrimit, zonja Gjosha vuri theksin në hartimin brenda një kohe të shkurtër të planit të veprimit për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kushte themelore për ecjen përpara të Shqipërisë në këtë proces.Në mbyllje të fjalës së saj, Ministrja e Integrimit vlerësoi angazhimin e opozitës si një faktor kyç në procesin e çuarjes së vendit drejt familjes europiane.Statusi nuk është gati dhe rezoluta e paraqitur ndihmon në afrimin e Shqipërisë me gjithçka ajo ka në dorë drejt këtij objektivi, tha Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij përpara deputetëve.“Ende duhet të bindim një numër vendesh anëtare, prandaj duhet që të gjithë bashkë të bëjmë ç’të mundemi që rezultati i dhjetorit të jetë pozitiv dhe Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat,” tha ndër të tjera Kryeministri.Në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryetari i këtij Petrit Vasili vlerësoi faktin që të gjithë deputetët folën me gjuhën e bashkëpunimit, gjë që flet për një qasje krejtësisht të re ndaj procesit.“Një nga kushtet themelore ka qenë konsensusi dhe debati i sotëm dha një provë të rëndësishme se ky kusht mund të përmbushet. Rezoluta e sotme është shpreje një vullneti në të gjithë gjerësinë e tij për çështjen e integrimit,” tha, ndër të tjera, Vasili.Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, znj. Majlinda Bregu, njëkohësisht kryetare e Komisionit për Integrimin Europian, tha se opozita do të vazhdojë të mbështesë cdo hap të qëndrimit të mbajtur gjatë periudhës në mazhorancë dhe që vazhdon të mbetet i njëjti edhe sot në opozitë.Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu mbështetjen e mazhorancës për rezolutën e paraqitur dhe theksoi se marrja e statusit të vendit kandidat është vetëm një stacion në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.Rezoluta, që u miratua me 105 votat e të gjithë deputetëve të pranishëm ndër të tjera rikonfirmon se integrimi i Shqipërisë në BE është objektivi madhor i vendit dhe përbën axhendën kombëtare të Kuvendit; konfirmon angazhimin e këtij institucioni që përparimi në procesin e integrimit të Shqipërisë të bazohet në meritë; thekson se marrja e statusit të vendit kandidat brenda dhjetorit të këtij viti duhet të përbëjë prioritetin kryesor të punës së Kuvendit të Shqipërisë dhe Qeverisë.Ndërkaq, rezoluta i kërkon unanimisht vendeve anëtare të Bashkimit Euroian dhe i inkurajon ato që të mbështesin propozimin e Komisionit Europian për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, si dhe të ardhmen europiane të vendit.REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI I SHQIPËRISËR E Z O L U T Ë Nr. _____/2013Në respekt të mbështetjes së shumicës dërrmuese të shqiptarëve për anëtarësim të plotë dhe të merituar të Shqipërisë në Bashkimin Europian;Me mirënjohje për mbështetjen që Bashkimi Europian i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, në funksion të konsolidimit të shtetit të së drejtës, parimeve të demokracisë dhe ndërtimit të një ekonomie tregu funksionale;Duke marrë në konsideratë progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, reflektuar në zbatimin e qëndrueshëm të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit;Duke marrë në konsideratë vlerësimin mbi progresin e arritur nga Shqipëria, në përmbushje të 12 prioriteteve të përcaktuara në Opinionin e Komisionit Europian;Duke marrë në konsideratë faktin se zhvillimi i zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013, i vlerësuar në raportin e OSBE/ODIHR-it dhe në Raportin e Progresit 2013 të Komisionit Evropian, përbën një sukses të qenësishëm për Shqipërinë;Duke mbështetur dhe vlerësuar si një nxitje për vijimin e reformave, propozimin pa kushte të Komisionit Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë;Duke marrë në konsideratë faktin që dialogu politik i realizuar nëpërmjet, gjithpërfshirjes dhe transparencës, është kusht kryesor për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian;Duke riafirmuar që integrimi në Bashkimin Europian, është axhenda kombëtare dhe qëllimi strategjik i Shqipërisë, si një vend që synon konsolidimin e demokracisë, respektimin e shtetit të së drejtës, garantimin e pavarësisë së institucioneve të pavarura, forcimin e një ekonomie tregu funksional, garantimin dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe minoriteteve, që përbëjnë edhe vlerat kryesore mbi të cilat është themeluar Bashkimi Europian;Duke qene të vetëdijshëm për rolin e Kuvendit, si shprehje e vullnetit të popullit, në procesin e integrimit evropian, përfshirë rolin kontrollues të Kuvendit, të domosdoshëm në procesin e integrimit evropian nën frymën e bashkëpunimit konstruktiv midis mazhorancës dhe opozitës parlamentare;KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË1. Rikonfirmon se integrimi i Shqipërisë në BE është objektivi madhor i vendit dhe përbën axhendën tonë kombëtare.2. Vlerëson rekomandimin e Komisionit Europian për dhënien e statusit të vendit kandidat për Republikën e Shqipërisë.3. Konfirmon qasjen e tij, që përparimi në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, bazohet në meritë, në përputhje më reformat dhe arritjet konkrete.4. Vlerëson mbështetjen që Bashkimi Europian ka dhënë për Shqipërinë gjatë gjithë këtyre viteve, në funksion të konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe parimeve të demokracisë funksionale.5. Thekson se marrja e statusit të vendit kandidat brenda dhjetorit të këtij viti, duhet të përbëjë prioritetin kryesor të punës së Kuvendit të Shqipërisë dhe të Qeverisë.6. Mbështet Dialogun e Nivelit të Lartë BE-Shqipëri me një pjesëmarrje gjithpërfshirëse me fokus përmbushjen e 5 prioriteteve kyce të identifikuara nga Raporti i Progresit për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.7. I kërkon Qeverisë të konsolidojë reformat e arritura që qëndrojnë në themel të propozimit të Komisionit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe t'i avancojë ato, si dhe të thellojë më tej përpjekjet për integrimin në familjen europiane, duke prezantuar një axhendë të qartë/ plan veprimi kryesisht me fokus përmbushjen e 5 prioriteteve të Komisionit Europian, të riformuluara në Progres Raportin e fundit, si dhe përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në një proces gjithpërfshirës dhe të përshpejtojë procesin e celjes së bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Europian.8. I kërkon Qeverisë të angazhohet për marrjen e të gjitha masave për forcimin e shtetit të së drejtës dhe parimeve të demokracisë funksionale, vecanërisht për:a) mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut;b) ekzekutimin e vendimeve te gjykatavec) mbrojtjen e garancive kushtetutese të nëpunësve të administratës publike;d) konsolidimin dhe mbrojtjen e autonomisë lokaledh) luften ndaj krimit te organizuar dhe korrupsionite) mbrojtjen e lirisë ekonomike dhe stabilitetit të ekonomisë së vendit; si dhef) garantimin e një bashkëpunimi konstruktiv midis mazhorancës dhe opozitës parlamentare.9. Angazhohet të garantojë dhe fuqizojë integritetin dhe pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe të pavarura si Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, Policisë së Shtetit, Kontrollit të Larteë të Shtetit, INSTAT, Autoriteti i Mediave Audovizuale etj., dhe i kërkon Qeverisë të bëjë të njëjtën gjë.10. Angazhohet të shqyrtojë me prioritet dhe në një proces të gjerë konsultimi, kuadrin ligjor që synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Europian, si dhe të gjitha nismat të cilat janë pjesë e axhendës reformuese të integrimit të Shqipërisë në përputhje me Kushtetutën dhe acquis e Bashkimit Europian.11. Thekson rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile në procesin integrues të vendit, duke u bërë pjesë integrale kryesisht në përmbushjen e 5 prioriteve të caktuara nga Komisioni Europian në Progres Raportin 2013.12. Unanimisht i kërkon Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian që të mbështesin propozimin e Komisionit Europian për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, si dhe të ardhmen europiane të vendit tonë.Miratuar, më datë _____/11.2013.KRYETARI ILIR META