Lokalizohen në tokën greke 3 të arratisurit e Drenovës, arrestohet Gëzim Toma
Pas 4 ditësh intensive kërkimesh nga policia e Korçës e mbështetur edhe nga forcat speciale dhe ato RENEA lokalizohen nga policia helene 3 të arratisurit nga burgu i Drenovës. Burime për Ora News bëjnë me dije se policia helene ka lokalizuar tre të arratisurit në disa stane në tokën greke, ndërsa ka bërë dhe arrestimin e njërit prej tyre, përkatësisht të Gëzim Tomës.
Toma u arrestua në fshatin grek pranë kufirit me Shqipërinë, Elaptora. Ai ishte së bashku me dy të arratisurit e tjerë, të cilët kanë mundur ti shpëtojnë policise helene. Ndërkaq vijojnë kërkimet për Reiz Haxhiraj dhe Eduard Lulo, të cilët sipas policisë greke dyshohet të jenë të armatosur, pasi Tomës në momentin e ndalimit i është sekuestruar një armë automatik. Kërkimet për ta po vijojnë në malet e Kosturit.
Të shtunën 7 të dënuar u arratisën nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë pasi kërcënuan me jetë gardianët. Ndërkohë nga aksioni për kapjen e tyre policia ka mundur të arrestojë katër nga të arratisurit mes të cilëve edhe organizatorin e arratisjes Admir Tafilin, për të cilët vetëm një ditë më parë u dha dhe masa e sigurisë burg pa afat nga gjykata e Korçës.
Policia greke zbardh detaje mbi arrestimin: Te arratisurit ishin pikasur 2 dite me pare. Policia greke zbardh detaje të reja rreth operacionit policor që bëri të mundur arrestimin e njërit prej të arratisurve të Drenovës, operacion i cili duket se nuk ka qenë rastësor.
Policia greke bën me dije se të arratisurit ishin pikasur dy ditë më parë përmes kamerave termike. Pas kësaj ata kishin ngritur postbllok në Gramo të Kosturit, ndërkohë që vetëm gjatë ditës së sotme janë vënë në veprim.
Gjatë aksionit ku u arrestua Gëzim Toma, pikërisht midis fshatit Pefkofto dhe Krisi, 35 km larg kufirit, ka pasur shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe tre të arratisurve, ku dyshohet se njëri prej dy të dënuarve që mundën ti shpëtojnë arrestimit të jetë plagosur gjatë përleshjeve. Ndërkohë në alarm është vënë edhe policia e Janinës për shkak të afërsisë me vendin e ngjarjes. Arrestimi i Gezim Tomes,“Zougla”, citon Ora News.
Arrestimi i Gëzim Tomës ka gjetur pasqyrim të gjerë edhe në mediat greke, ku saiti online “Zougla” ndërsa pasqyron lajmin i referohet pikërisht lajmit të publikuar në Ora News.