Shpresë për 7-vjeçaren e sëmurë, operacion special në Turqi për ta mbajtur në jetë
Ka një shpresë për vogëlushen, Sofia Hamzallari, që të bëjë transplant në palcën kurrizore jashtë Shqipërisë. 7-vjeçarja është shtruar në shërbimin e onko-hematologjisë në QSUT dhe është diagnostikuar me Aplasia Meduale, mosfunksion të palcës për shkak të dëmtimeve në rruazat e kuqe të gjakut.Prindërit vazhdojnë të bëjnë përpjekjet e tyre me anë të të fushatave senibilizuese dhe thirrjeve publike sepse jeta e fëmijës së tyre është realisht e kërcënuar nga koha. Sërish në Ora News, babai i Sofias, Aurel Hamzallari, tha se ka arritur të mbledhë rreth 6 mijë dollarë dhe tashmë kërkohet dhe 10-fishi i tyre, sepse vetëm ndërhyrja kushton 60 milion lekë.Ndërkohë ne u interesuam në Ministrinë e Shëndetësisë për të parë nëse ka një kërkesë të prindërve në këtë rast dhe se kur mendohet që Sofia të niset për kurim jashtë vendit.Kontaktuam në telefon me Romeo Zegali, i cili mban detyrën e marrdhënieve me jashtë në Ministrinë e Shëndetësisë. Zegali tha se takimin e fundit me prindërit e Sofias e ka patur një ditë më parë, të martën. Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë, garantoi ai, ka tashmë një marrëveshje me insitucionin homolog në Turqi.Autoritetet shëndetësore turke e njohin rastin në fjalë, por ende nuk kanë dhënë një përgjigje se kur mund të udhëtojë vogëlushja në Turqi. Përpara se të ketë një qëndrim zyrar, spitali i kontaktuar në Turqi duhet të sigurojë dhe dhuruesin për këtë transplant dhe numrin e kërkesave për ndërhyrje të tilla të ngjashme.Por, kur ditët kalojnë, shëndeti i të miturës është i kërcënuar. Ajo po jeton vetëm me kryerje të tranfuzionit të gjakut dhe shpresën se një ditë do të jetojë normalisht në rast se do të ketë fatin dhe mundësinë e kryerjes së këtij transplanti.