Ulet norma bazë e interesit, Fullani: Rritje e dobët e ekonomisë edhe për 2014
Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit për lekun me 0.25 pikë përqindje, duke e zbritur atë në nivelin 3.25 për qind. Guvernatori Fullani tha se përmes këtij vendimi banka synon t'i japë një stimul të ri ekonomisë duke nxitur konsumin dhe investimet.“Ky veprim synon të ruajë stimulin makroekonomik dhe të krijojë kushte të përshtatshme për përmbushjen e objektivit tonë të inflacionit”tha ai.Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, gjatë prezantimit të raportit mujor të politikës monetare të Bankës Qendrore, tha se rritja ekonomike pritet të jetë e dobët edhe gjatë vitit të ardhshëm dhe kjo do të bëjë që edhe korrektimi fiskal të jetë i dobët.Sipas Fullanit, luhatjet e rritjeve të vitit të fundit, ka ardhur si pasojë e luhatjeve të investimeve.“Investimet private kushtëzohen nga pasiguria e lartë dhe nga kreditimi i ulët. Konsumatori dhe biznesi shqiptar shfaqen mjaft hezituar për marrjen e vendimeve afatgjata.Pas një rritje të shpejtë të shpenzimeve, gjatë pjesës së parë të vitit, gjatë 3 mujit të tretë është ulur kjo rritje. Niveli i lartë i borxhit publik e kufizon mundësinë e politikës monetare dhe fiskale për të mbështetur rritjen e ekonomisë. Eksportet kanë shënuar një rritje prej 13.6 për qindësh, ndërsa importet kanë shënuar një ulje prej 5 përqindësh për këtë periudhë”, tha ai.Fullani deklaroi se korrektimi i borxhit fiskal do të jetë i domosdoshëm për rregullimin e borxhit të brendshëm.