Nëpunësi civil, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD-së
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për shpalljen si të papajtueshëm me ligjin të aktit normativ për shtyrjen e ligjit “Për nëpunësin Civil”.Më herët në seancë përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso ka theksuar se akti normativ shpërfill Kuvendin dhe cënon pavarësinë e pushteteve ndërsa shton se akti ka hedhur poshtë një ligj të miratuar me shumicë të cilësuar në Parlament.Ndërsa përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave Edlira Jorgaqi ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së PD-së për aktin normativ, pasi sipas saj nuk është e mbështetur në ligj.Sipas saj, qeveria ka të drejtë të miratojë një akt normativ me fuqinë e ligjit dhe ky akt është miratuar dhe në Kuvend,Jorgaqi ka theksuar më tej se nëpunësit e administratës mbrohen nga një ligj që është në fuqi prej 14 vitesh.Në 17 tetor Kuvendi miratoi me 84 vota pro dhe 4 vota kundër aktin normativ të qeverisë që shtyn me 6 muaj efektet e ligjit “Për nëpunësin civil”.Pas vendimit, ka reaguar edhe deputeti i PD-së, Eduard Halimi,i cili tha se qeveria u bë qesharake në parashtrimin e kërkesës para gjykatës Kushtetuese, ndërsa u shpreh optimist për një vendim të drejtë nga Kushtetuesja pas shqyrtimit të çeshtjes në themel.
“Qeveria u bë qesharaka në prezantimin para trupës gjykuese, kur deklaroi se Kryeministri paska të drejtë që të zhbëjë dhe Kushtetutën, të anullojë dhe dispozitat kushtetuese kur ai e çmon, ditën apo natën. Kjo siç e patë dhe ju tregoi ilaritet në sallë qoftë nga pjesmarrësit e medias, por nga gjithë auditori i sallës. Kjo tregon papërgjegjshmërinë e Kryeministrit,i cili synon të zhbëjë shtetin ligjor dhe Kushtetutën. Ne jemi të bindur se kërkesa teknike që kishte të bëntë me pezullimin e fakteve të aktit normativ kishte për synim të ndalonte kalimin e këtij akti në parlament. Në momentin kur akti normativ ka kaluar në parlament Kushtetuesja e çmoi këtë kërkesë teknike si të panevojshme për ta anulluar sot. Ne kemi besim se gjykata kushtetuese si garante e Kushtetutës në trajtimin e çështjes në themel do ta shpallë si antikushtetues aktin normativ të Kryeministrit që anulloi një ligj me 3/5 natën e 30 shtatorit”tha ai.Ndërsa Kaso i pyetur se kur mund të kemi vendimin përfundimtar nga gjykata Kushtetuese u përgjigj:“Natyrisht nuk ka afat të përcaktuar qartë. Gjithë problematika doli qartë, bazueshmëria e pretendimeve tona doli qartë gjatë debatit gjyqësor dhe mendoj se gjykatës kushtetuese nuk do ti duhet shumë kohë për të dhënë një vendim mbi këtë cështje”.