Meta: Panairi i Klik Ekspo Group, tregues i suksesit ekonomik
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta ishte sot i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Vera më e mirë shqiptare”, që u organizua etj Sallonin Ndërkombëtar të bujqësisë dhe industrisë ushqimore në mjediset e Panairit Ndërkombëtar të organizuar nga shoqëria Klik Ekspo Group në Tiranë.Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, z. Edmond Panariti, Ministër Shteti për Çeshtjet Vendore Bledi Çuçi, Ministri për Marëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi, Kryetari i Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese Eduart Shalsi, deputetët Koço Kokëdhima, Fidel Ylli, Vangjel Tavo, , zëvëndësministra të qeverisë, drejtues institucionesh, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të agro-biznesit, etj.
Duke e cilësuar si një ngjarje mjaft të rëndësishme jo vetëm prodhuesit e këtyre produkteve vendase, por edhe për të gjithë ata, që e kuptojnë se nga suksesi i prodhuesve vendas varet suksesi i rritjes së ekonomisë kombëtare, Kryetari i Kuvendit vuri në dukje se është koha për një qasje të re ndaj bujqësisë, që është një sektor prioritar i qeverisë, mazhorancës dhe Parlamentit.
“Është koha për të ndryshuar në këtë drejtim dhe unë besoj se të gjithë jemi të ndërgjegjshëm si asnjëherë tjetër për një qasje të re ndaj këtij prioriteti. Sot kemi një shans të mrekullueshëm që e nesërmja jonë të ndryshojë më shpejt dhe në mënyrë të qëndrueshme. shpejt dhe mirë. Ky shans dhe kjo mundësi është bujqësia,” u shpreh Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.Nga ana e tij, Ministri i Bujqësisë, Panariti duke shprehur kënaqësinë e veçantë për praninë në këtë panair, vuri në dukje se kjo ngjarje në fakt është një festival i vlerave, i traditës, i kulturës së bujqësisë shqiptare dhe të prodhuesve shqiptarë, produktet e të cilëve kanë zënë një vend dinjitoz në tregun vendas, por edhe më gjerë.
“Jam i nderuar dhe i privilegjuar të theksoj që ne kemi krijuar tashmë një traditë të konsoliduar edhe në prodhimin e verërave. Kam pasur mundësinë të takoj këto ditë prodhuesit e verërave shqiptare që kanë mundur të krijojnë marka prestigji, të cilat në njëfarë mënyre rrezatojnë edhe traditën, vlerat e krahinave shqiptare,” tha zoti Panariti.Më pas, u ndanë një sërë çmimesh për prodhuesit e verës, ku çmimin e parë si për verën e bardhë ashtu dhe për verën e kuqe, e fitoi kantina “Kokomani” Durrës. Çmime morën dhe kantinat ‘Bardha’ në Marikaj, ‘Arbëri’ në Mirditë, ‘Kallmet’ në Lezhë etj. Këtë nëntor, ashtu siç dhe është bërë traditë e viteve të fundit është zhvilluar Festivali i Verës. Dhjetra kantina shqiptare me prodhimet origjinale të vreshtave autoktone kanë konkuruar për çmimet e verëss ë kuqe, të bardhe dhe verës së stazhionuar, apo asaj të vjetëruar. Për një ditë të tërë, komisioni i përbëra nga degustatorë dhe somielierë shqiptarë dhe të huaj kanë provuar tre llojet e verërave të prodhuara nga kantinat shqiptare. Personalitetet e larta të ftuar dhanë certifikatat e çmimeve përkatësisht:Çertifikatat për çmimet e verës u firmosën nga Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti dhe nga kryetarja e Komisionit të Degustimit Renata Kongoli. Në Pavionin e Agroindustrisë, ministri Edmond Panariti dha edhe një çmim për Shoqatën Shqiptare të Vajit të Ullirit “AOA” me motivacionin “Në mbështetje të prodhuesve lokal të vajit të ullirit shqiptar duke siguruar cilësinë, përmes ruajtjes së traditës, mbrojtjes teknike dhe shëndetit të konsumatorëve”.Në kuadër të ceremonisë së ndarjes së çmimeve për verën më të mirë shqiptare, Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta iu dorëzua në shenjë mirënjohjeje medalja “Shqiponja e Artë” me motivacionin “Mirënjohje për një personalitet mbështetës aktiv dhe inkurajues të çmuar ndaj zhvillimit të Industrisë së Panaireve në Shqipëri, nxitës me dashamirësi në etapat kyçe të evolimit të sektorit, deri në anëtarësimin e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës në Organizatën Globale të Industrisë së Panaireve dhe Ekspozitave botërore – UFI, përkrahës i vyer i Panaireve këta gjenerues të bashkëpunimeve tregtare dhe promovues të investimeve të huaja në vend”.Të njëjtin çmim Presidenti i shoqërisë organizatore Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj i akordoi edhe Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave Edmond Panariti me motivacionin “Mirënjohje për angazhimin e përkushtuar dhe arritjet e prekshme që me marrjen e misionit në krye të Dikasterit të Bujqësisë, për vënien në zbatim të prioriteteve të paravendosura në kuadër të promovimit të prodhuesve vendas, zhvillimit të shpejte e të qëndrueshëm të sektorit, përmes platformave të qarta e të suksesshme, me rezultate të dukshme edhe permes Panairit të Agrobiznesit në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës”.