“Ç’është demokracia për mua?”. OSBE aktivitet me gjimnazistët nga gjithë vendi
Rreth 60 gjimnazistë nga Korça, Kukësi, Lezha dhe Puka janë sot në Tiranë për t’u takuar me Presidentin, Kryetarin e Kuvendit dhe zëvendëskryeministrin, si pjesë e një projekti të OSBE-së për të forcuar rolin e shoqërisë civile në proceset vendimmarrëse.Gjatë paradites, gjimnazistët zhvilluan një bashkëbisedim me Kryetarin e Prezencës së OSBE-së, Ambasadorin Florian Raunig, ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe me një panel figurash publike të përbërë nga Aleksandër Furrxhi, Fatos Baxhaku, Frrok Çupi, Gazmend Oketa, Gjergj Bojaxhi, Ilva Tare dhe Rezarta Delisula, të moderuar nga Mimoza Koçiu.“Përmes projekteve si ky që kemi organizuar me ju, Prezenca e OSBE-së po mbështet qytetarët, veçanërisht të rinjtë, të angazhohen në jetën publike në një mënyrë të pavarur, krijuese dhe aktive, në mënyrë që të krijohet një urë mes komunitetit nga njëra anë dhe shtetit nga ana tjetër”, tha ambasadori Raunig.“Ne ju inkurajojmë të angazhoheni në jetën publike dhe në jetën e komunitetit, dhe të përpiqeni të zgjidhni çështje të cilat janë të rëndësishme për ju, qofshin ato në lidhje me aksesin në arsimin cilësor, bibliotekat, bursat dhe aktivitetet sportive, apo në lidhje me zvogëlimin e nivelit të papunësisë për të rinjtë dhe luftën kundër krimit”, tha ai.Ambasadori shpërndau çmime për katër të rinj esetë e të cilëve, të publikuara në përmbledhjen e eseve “Ç’është demokracia për mua?”, u vlerësuan si më të mirat nga juria e përbërë nga disa prej panelistëve të sotëm.“Përgjigjet që morëm tregojnë se demokracia nuk është një koncept abstrakt, por një pjesë e prekshme e jetës në Shqipëri – jo një pjesë e përsosur, por gjithsesi, një pjesë shumë e rëndësishme. Demokracia është vërtet një koncept që e tërheq imagjinatën e të rinjve shqiptarë – dhe kjo është një bazë e shkëlqyer për të ardhmen”, tha Raunig.I pyetur nga një studente lidhur me importimin e mundshëm të armëve kimike nga Siria për asgjësim këtu, Ambasadori tha se ky është një vendim që duhet ta marrë shteti shqiptar së bashku me partnerët e tij.“Është një çështje e vështirë, pasi nga një anë është solidariteti me partnerë, me shtete miq, edhe për të ndihmuar popullin e Sirisë, nga ana tjetër, kuptohet, këto nuk janë lodra që importohen”, tha ai.Duke folur për punën e OSBE-së, Ambasadori tha se javën e shkuar ka përfunduar paketimi i mbi 80 tonë lëndëve kimike të rrezikshme – të fundit të mbetura në mjediset ushtarake dhe tani OSBE-ja po bën përpjekje për të siguruar fondet për t’i transportuar këto lëndë për shkatërrim jashtë vendit. Ai sqaroi se kjo është një çështje e ndryshme nga debati për armët siriane, pasi, së pari këto janë lëndë ekzistuese në Shqipëri .