Armët kimike, Bogdani: Nuk është barrë e Shqipërisë, e para vjen jeta e qytetarëve

Edhe pse gjatë protestës opozitare, PD evitoi deklaratat, demokratët do të kundërshtojnë një përgjigje pozitive të qeverisë shqiptare ndaj kërkesës së SHBA-së që armët kimike te Sirisë të shkatërrohen në vendin tonë. Deputeti Gerti Bogdani, i ftuar në Ora News paralajmëroi qendrimin kundër të partisë më të madhe opozitare në vend, duke e cilësuar demontimin e armëve një rrezik për të gjithë shqiptarët.

“Qëndrimi im kundër vjen si qytetar dhe politikan. Një zë qytetar si çdo qytetar shqiptar që ngre të ardhmen e tij në këtë vend dhe në mënyrë absolute si politikan me përgjegjësinë më të plotë ndaj të gjithë atyre njerëzve që kanë votuar për mandatin tim në parlament. Sot kjo është çështja me sensitive në vend, më sensitivja në 101 vite shtet. Shqipëria i ka mbijetuar genocideve dhe ndarjes për të mbijetuar si komb, ndërsa sot që jetojmë si një vend i lirë veprimet tona të papërgjegjshme si klasë politike i japin rrezikun e shkatërrimit të këtij shteti apo të ardhmes së këtij vendi. Me çfarë kemi dëgjuar në media, nuk bëhet fjalë për një kërkesë të aleatëve tanë, por një kërkesë e vetë qeverisë sonë për shkatërrimin e armëve kimike këtu. Na kanë testuar dhe kanë gjeturnjë Ministër të Jashtëm, një Kryeministër që kam përshtypjen se sot foli, në takimin me ushtarakët në mënyrë indirekte e la të hapur derën. Ky nuk është detyrim ndaj askujt, por qytetarëve shqiptarë, kombit shqiptar dhe popullit shqiptar. Këtu nuk rrezikojnë qytetarët amerikanë dhe në fund të fundit nuk është projekt amerikan, ky ka qenë propozim rus. Kujtojmë takimin e zotit .Rama me Ministrin e Jashtëm rus në shtator në Kombet e Bashkuara, jam i sigurt që s’kanë biseduar për NATO-n se nuk është interes i përbashkët, as për pavarësinë e Kosovës sepse Rusia mbështet fort çështjen serbe, as për BE pasi Rusia nuk është dhe nuk do jetë pjesë e saj, por unë mendoja që ishte për biznesin rus, ndërkohë besoj që paska qenë për armët kimike të Assad që në fund fare janë produkte të vetë Rusisë, dhurata të saj. Por nuk ka rëndësi se kush e kërkon, por si përgjigjesh ti dhe një përgjigje evasive dhe mungesë totale tranparence nga kjo qeveri është përgjigjia më e keqe që mund tu jepet qytetarëve” tha ai.

Bogdani theksoi se një refuzim nga ana e qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Rama, nuk do të thotë antiamerikanizëm, pasi përkundrejt interesave çdo shtet në radhë të parë duhet të vendosë interesat e qytetarëve të tij dhe të ardhmen e tij si shtet.

‘Duhet parë se kush e kërkon dhe si kërkohet. Padiskutim që Shqipëria ka qenë krah për krah SHBA në çështjet madhore, se ata kanë qenë përkrah nesh. Interesat kanë shkuar paralelisht, por për ti thënë jo armëve kimike në Assad që do vinin në rrezik jetën e qytetarëve pavarësisht  garancirave të sigurisë, një thënie jo kësaj nuk do të ishte aspak antiamerikane, por proshqiptare. Pavarësisht interesave të përbashkët, atyre strategjikë, apo miqësirave, çdo shtet në radhë të parë duhet të  vendosë interesat e qytetarëve të tij dhe të ardhmen e tij si shtet. Të jemi të qartë, s’kemi të bëjmë me lëndë të thjeshta ushtarake, por lëndë kimike të shfarosjes në masë. Shqipëria nuk ka kapacitetet, por edhe po ti kishte s’duhet të merrte mundimin ti shfaroste se nuk janë barrë e saj, pavarësisht të qënit  end anëtar i NATO-s, pavarësisht se jemi anëtar i Kombeve të Bashkuara, ka shumë shtete të tjera që mund ta marrin këtë barrë. Ka shtete si Belgjika, Norvegjia apo Franca që i kanë thënë jo një gjëje të tillë dhe jam i sigurt që as norvegjezët as francezët dhe as belgët  nuk janë as antiamerikanë dhe as antirusë, por thjesht mbrojnë interesat e qytetarëve të tyre” u shpreh deputeti demokrat.

Por si do të vepronte PD në rast se një kërkesë e tillë do vinte gjatë qeverisjes së saj?

“Janë një gram bashkëpunim kundër 1300 tonëve lëndë kimike, 6 ujgurë prezent në Shqipëri s’mund të krahasohen me 1300 tonë lëndë kimike, 200 e disa muxhahedinë që në fund të fundit është një çështje humanitare nuk është njësoj me 1300 ton armë kimike. Qeverisja e PD ka qenë gjithmonë një qeverisje e përgjegjshme,  të jemi të qartë nuk ka asnjë përfitim financiar për shtetin shqiptar apo buxhetin e shtetit. Nëse do vinë ato para, ato do vinë për tu instaluar pajisjet, për tu bërë çmontimi, demontimi apo depozitimi i këtyre helmeve kimike në Shqipëri. Por dhe nëse do ishin përfitimet edhe 300 miliard euro, në anën tjetër të peshores, ajo që është në rrezik është jeta e qytetarëve shqiptarë dhe kam përshtypjen se jeta e qytetarëve shqiptarë nuk ka asnjë çmim për askënd që ti thotë po” tha ai.

 Kërkesa e deputetes Doda për interpelance me kryeministrin Edi Rama do të pasohet dhe nga deputetë të tjerë opozitarë, tha Bogdani, ndërsa  ka kërkuar një mobilizim më të madh qytetar që nëse parlamenti i thotë po shkatërrimit të armëve kimike, ta çojnë në referendum popullor.

“Problemi kryesor është se qeveria ka mungesë të theksuar transparencë kur bëhet fjalë për këtë çështje. Nuk ka asnjë prononcim të Kryeministrit që duhet të bëjë transparente rrugën dhe jo vendimarrjen, pasi s’kemi ardhur ende tek kjo, do një ligj të veçantë dhe duhet të vijë në parlament, në radhë të dytë duhet marrë mendimi i qytetarëve, në rastin që kjo klasë politike dhe ata 139 deputetë janë të papërgjegjshmëm për ta votuar kjo çështje duhet ti shkojë referendumit popullor. Aleanca e shoqërisë civile ka bërë një kërkesë për interpelancë për kryeministrin Rama, jo vetëm unë por dhe deputetë të tjerë do ta bëjnë një gjë të tillë qoftë dhe në mënyrë zyrtare. E ka për detyrim ligjor ndaj parlamentit, por mbi të gjitha detyrim moral ndaj qytetarëve shqiptarë, ndryshe do të ktheheshin në 4 mln shkelma për një Kryeministër të papërgjegjshmëm për të ardhmen e  Shqipërisë dhe shqipëtarëve. Opozita ka kërkuar tranparencë dhe në ditët në vijim do ketë një qëndrim të fortë. Por kjo mbi të gjitha është një çështje që kërkon një reagim qytetar, pasi bëhet fjalë për të ardhmen e të gjithëve” theksoi zoti.Bogdani.