Europa bashkon 800 studentë nga rajoni, Fyle: Integrimi i arritshëm, varet nga ju
“Evropa e gjeneratës tjetër”. Ky ishte slogani që mblodhi sot në mbrëmje rreth 800 studentë të ekselencës në konferencën me të njëjtën temë zhvilluar në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit. Ministrja e Integrimit Evropian znj. Klajda Gjosha, hapi takimin me të rinjtë nga Shqipëria dhe rajoni, ku presepktiva Evropiane e vendit, kësaj here u pa në optikën e të rinjve, pa të cilët integrimi në Bashkimin Evropian nuk mund të ecë kurrsesi përpara. Të pranishëm në panelin e konferencës ishin Eurokomisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, Kryeministri Edi Rama dhe studentë të ekselencës nga 6 vendet e rajonit: Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia, të cilët përshëndetën me rradhë takimin e mbajtur.

Ministrja Gjosha u shpreh se Evropa e sotme është një sistem i shprehjes së vlerave të përbashkëta, të cilat duhet të respektohen dhe promovohen nga të gjithë. Sipas saj, ky takim shënon vetëm fillimin e një fushate komunikimi me të rinjtë të cilët janë aktorët kyçe në procesin e integrimit.
“Integrimi evropian nuk ka qenë dhe nuk është një rrugë e lehtë. Por ne e dimë që në këtë rrugë nuk jemi vetëm, kemi pasur, kemi dhe do kemi përkrahjen dhe mbështetjen e partnerëve tanë evropianë, të cilët janë po aq të interesuar sa edhe ne, që ne të bëhemi sa më shpejt anëtarë të denjë të familjes së madhe evropiane, ku kemi dhe vendin. Rinisë si pjesa më dinamike e shoqërisë, që kërkon dhe synon gjithnjë të renë, shtigje të pashkelura më parë, perspektivën dhe të ardhmen, i takon të luajë rolin e lokomotivës së trenit evropian të Shqipërisë”, u shpreh Gjosha.
