Fyle mbyll misionin në Tiranë: Dialog kombëtar, jo vetëm pozitë-opozitë
Komisioneri i BE-së Stefan Fyle ka deklaruar se ky vit është një vit i mbarë për Shqipërinë. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, komisioneri Fyle nenvizoi rëndësinë e përmbushjes së rekomandimeve nga ana e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat.“Ky ka qënë një vit i mirë për Shqipërinë dhe për përpjekjet e saj për të ecur drejt Bashkimit Europian. Ka qenë një vit i mirë sa i përket zgjedhjeve por edhe transferimit të mirë të pushtetit. Po ashtu është një vit që na ka ndihmuar që të japim rekomandime shteteve anëtare dhe shpresojmë që shtetet anëtare të marrin një vendim politik të rëndësishëm për Shqipërinë. Reagimi i KE për përpjekjet e Shqipërisë është një angazhim më i madh nga ana jonë. Mendoj se shqiptarëve u duhet dhënë një ide e qartë e kësaj rruge drejt BE-së dhe duhet të shohim hapa konkrete. Ne sot kemi pasur kënaqësinë të lancojme dialogun e nivelit të lartë për prioritetet kyçe, ne i referohemi atyre 5 që qëndrojnë mes Shqipërisë dhe rekomandimit të KE për statusin” tha ai.Gjithashtu komisioneri Fyle është shprehur se priste një fillim të mbarë por ishte një fillim i shkëlqyer.
“Shpenzuam tre orë, por kemi nxjerrë edhe përfundime të përbashkëta. Së pari, kishim mundësinë të përkufizojmë mbështetjen në proçesin e integrimit për Shqipërinë, synimi është të strukturohet bashkëpunimi dhe të ndihmojmë Shqipërinë që ta mbajë fokusin te integrimi. Së dyti kemi konfirmuar se gjithëpërfshirja dhe transparenca është element kyç dhe e theksoi kryeministri pjesëmarrjen e kryetares së komisionit të integrimit zonës Bregu. Ne do e fuqizojmë këtë element në dialogun e nivelit të lartë” tha Fyle.Nga ana e tij, kryeministri Rama e cilësoi si mjaft të rëndësishëm tryezën duke theksuar se qeveria do të bëjë gjithçka për plotësimin e 5 kritereve të kërkuara nga BE-ja."Kemi mbyllur dialogun e nivelit të lartë që kam pasur nderin ta bashkëdrejtoj me komisionerin Fyle. Kjo tryezë ka shënuar një moment shumë të rëndësishëm dhe njëkohëshisht ishte për ne një hapësirë e munguar për të adresuar çështjet e rëndësisë së veçantë më pak se sa për të çuar përpara një proçes që tani më vjen edhe në vazhdim të publikimit të proges raportit dhe të rekomandimit të komisionit ndaj vendeve anëtare për ti dhënë Shqipërisë statusin" tha Rama.Kryeministri Rama theksoi se deri në momentin e fundit kur vendet anëtare të marrin vendimin për dhënien e statusit kandidat, Shqipëria duhet të japë prova të qarta se po i përmbush të gjitha kriteret."Deri në sekondën e fundit Shqipëria duhet të provojë që po lëviz në rrugën e duhur dhe se rëndesa e atij imazhi negativ të krijuar në raport me këto dy çështje kryesore, krijimin në sytë e vendeve anëtare do të jetë diçka që do ti përket së kaluarës. Prandsj është e rëndësishme të theksohet se ajo që I prezantuam me detaje komisionerit lidhet vetëm me fillimin e një pune që shkon duke intensifikuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit pa e marrë të mirëqënë që gjitë vendet anëtare do të duan ta shohin këtë gjë dhe që nuk do të duan të shikojnë më shumë. Prandaj kjo pikë duhet të jetë e qartë. Ndërsa ana tjetër e medaljes është se tek e fundit të gjithë ato që po bëjmë nuk janë në funksion të statusit të kandidatit por janë në radhë të parë për të forcuar këtu sistemin ligjor, për të luftuar këtu krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe për ta bërë funksioninim e institucioneve këtu dhe jo thjesht në sytë e ndërkombëtarëve" shtoi Rama. Armët kimike, Rama: S`kemi marrë ende një vendim
I pyetur në lidhje me çështjen e shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri, kryeministri Rama është shprehur se ende nuk është marrë një vendim i tillë. Rama i cilësoi si të pavërteta deklaratat e bëra ditët e fundit në media duke theksuar se është e padrejtë ta krahasosh këtë çështje me ndalimin e eksportit të mbetjeve.“Nëse do të marrim një vendim padyshim që do ta ndajmë me publikun. Kjo do të thotë që në kushtet që ne flasim jam i vetëdijshëm nga ndjeshmëria që ka krijua kjo çështje por dua të them se pjesa më e madhe e gjërave që thuhen janë të pavërteta. Ashtu si nga ana jonë nuk na takon dhe nuk është në etikën e familjes euro atlantike që të bisedojmë jashtë nesh në kuptimin që po bisedojmë në emër të vendeve anëtare për atë që po bisedojmë që nuk lidhet ende me një vendim. Së pari askush nuk duhet ta harroj që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe gjithkush duhet të niset nga ky fakt dhe nga objekti i këtij diskutimi që është çarmatosja pa luftë në terren e një regjim vrastar dhe të mos bëjë asnjë krahasim të mundëshëm me pozicionin tonë shumë të qartë për të shfrytëzuar këto 4 vite për të pastruar Shqipërinë nga plehrat duke filluar nga ndalimi i eksportit të plehrave. Të krahasosh këto dy gjëra është e padrejtë" tha Rama.Kryeministri Rama është shprehur më tej se do të mbrojë interesin e qytetarëve dhe interesin kombëtar të Shqipërisë. Ai shtoi se nëse do t`i duhet të marrë një vendim atëherë ai padyshim që do ta ndajë me publikun dhe me përfaqësuesit e protestës.“Është shumë e rëndësishme që çdo qytetar i shqetësuar, çdo prind , çdo gjyshi dhe gjysheje që ndjek me drithërim në zemër, lumin e të pavërtetave që rrjedh përditë duhet ta dijë se unë jam plotësisht i vetëdijshëm dhe jam në krye të detyrës për të prezantuar me dinjitetin e plotë në këtë diskutim me SHBA-në interesin kombëtar të Shqipërisë që është i pandalshëm në çështjen e sigurisë nga SHBA-ja por edhe interesin e çdo familje shqiptare. Arsyeja se përse nuk i kam takuar përfaqësuesit e kësaj proteste është shumë e thjeshtë dhe nuk është e vërtetë që heshtja fsheh diçka por nuk jemi ende dhe mund mos jemi në pikën që na duhet të marrim një vendim. Dhe nëse unë do të mendoj që do të na duhet të marrim një mendim padyshim që këto do ta ndaj me publikun, parlamentin por në radhën më të parë me përfaqseuesit e protestës por duke e mbështetur kërkesën për të marrë një vendim me të gjitha arguementet që i duhen një shqiptari për të qënë krenar për Shqipërinë dhe për të qënë i vetëdijshëm për çdo arsye për një vendimi të tillë. Kjo është e gjitha dhe nuk kemi dashur të futemi në një debat pa debat” shtoi Rama.