“Crown Agents”, Komisioni i Ekonomisë miraton marrëveshjen

Pas mbi dy orë diskutime komisioni i Ekonomisë ka miratuar marrëveshjen me agjensinë “Crow Agents”. Mbledhja e komisionit u shoqërua me debate të shumta mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, ka akuzuar qeverinë se kjo kontratë është jo transparente dhe ka mënjanuar garën si dhe nuk është e përfshirë në taksim.“Ju po e sillni këtë kontratë në Parlament për të eleminuar konkurencën. Ne kemi deri tani konsulencën e BE. Pra po anashkaloni garën. Qeveria po përdor një procedurë antiligjore dhe korruptive. Autoriteti i doganave italiane që është shteteror sigurisht që do ju japë më shume informacion se një kompani private. Por ju nuk e doni këtë. Doni të shmangni BE-në ” ka theksuar ish-ministri i financave Ridvan Bode.Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, e kundërshtoi këtë fakt duke kërkuar që të mos spekulohet. Cani premtoi se nëse nuk plotësohen kushtet e kërkuara nga “Crown Agents”, atëherë marrëveshja do prishet.“Kompania “Crown Agents” ka eksperiencë të gjatë në sektorin e doganave edhe në tregun shqiptar. Kontrata me “Crown Agents” është 2-vjeçare dhe në varësi të ecurisë ajo mund të përsëritet. Nëse nuk arrihen të ardhurat, penaliteti ndaj kompanisë është 25 % më pak të 8.5 milionë eurove. Synojmë riformatim të doganës, por jo të heqim organet doganore.Nuk kam dijeni për refuzimin e kompanisë “Crown Agents”, më parë në Shqipëri” tha Cani ndërsa kërkoi nga opozita të mos spekulojë me marrëveshjen pasi qeveria është duke diskutuar anekset e kontratës.Një tjetër akuzë e opozitës ndaj mazhorancës ka qenë edhe mosplotësimi i kontratës. Por mazhoranca ka reaguar duke e akuzuar për të njëjtin veprim në privatizimin e CEZ.Komisioni u përfshi nga debatet edhe për nivelin e të ardhurave. Ish-kreu i Financave, Ridvan Bode, vuri bast që kjo qeveri do e ketë të vështirë të rrisë të ardhurat.Ministri i Financave ndër të tjera premtoi se në janar qeveria do të heqë referencat.