100 vjetori, Nishani merr urime nga Mbretëresha Elisabeta II dhe krerë të tjerë shtetesh

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka marrë urime të shumta nga krerë shtetesh me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Kështu Mbretëresha Mbretërisë së Bashkuar, Elisabeta II u ka uruar të gjithë shqiptarëve 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë nëpërmjet një mesazhi dërguar Presidentit Nishani në të cilin thuhet:“Me kënaqësinë më të madhe po ju dërgoj Shkëlqesia Juaj, urimet e mia për festimin e njëqindtë të pavarësisë së Shqipërisë. Shekulli i kaluar ka paraqitur shumë sfida për vendin tuaj duke u bërë një testament për forcën dhe vendosmërinë e popullit shqiptar në mënyrë që ju mund të festoni përvjetorin e 100-të si një shtet i pavarur, anëtar i NATO-s, kryetar i suksesshëm i Këshillit të Evropës dhe një partner i respektuar rajonal. Më lejoni t’i shpreh Shkëlqesisë Suaj urimet e mia më të mira për lumturinë dhe begatinë e Qeverisë dhe popullit të Shqipërisë në vitin e ardhshëm, dhe shekullin tuaj të dytë të pavarësisë”Presidenti i Republikës së Austrisë, Heinz Fischer thekson në mesazhin e tij urues: “Me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, kam kënaqësinë e madhe t’ju përcjell Juve urimet më të ngrohta. Gjej rastin t’ju uroj për mirëqenien tuaj dhe për një të ardhme të lumtur për popullin shqiptar”.Mbretëresha e Hollandës, Beatrix R.: “Me rastin e Festës Kombëtare të Shqipërisë, dëshiroj t’i përcjell Shkëlqesisë Suaj, urimet më të mira për mirëqenien e popullit shqiptar”.Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck: “Me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, e cila sivjet shënon dhe përvjetorin e njëqind të pavarësisë, ju dërgoj Juve si dhe qytetarëve të vendit tuaj, urimet e mia më të përzemërta. Edhe në të ardhmen, Gjermania do t’i japë vendit tuaj çdo mbështetje, me qëllim që procesi i përafrimit të Shqipërisë me Evropën të mund të vazhdohet me sukses. Veçanërisht kryesimi i Këshillit të Evropës, nga Shqipëria deri pak javë më parë, bën të qartë se dy vendet tona janë të lidhura edhe nëpërmjet vlerave të përbashkëta. Politika rajonale konstruktive e vendit tuaj u përgjigjet kërkesave, që shtrohen nga kjo qasje. Ju uroj Juve personalisht mbarëvajtje, edhe në emër të bashkëatdhetarëve të mi, ndërsa popullit shqiptar i uroj një të ardhme të mirë, paqe liri dhe mirëqenie!”Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipović: “Me rastin e Ditës Kombetare të Republikës së Shqipërisë, jam i gëzuar që t’ju përcjell Juve dhe popullit shqiptar urimet e mia më të përzemërta, sikurse dhe urimet më të mira për prosperitetin e vendit tuaj dhe qytetarëve të tij!”