Konferenca e Kryetarëve, Paloka: Parlamenti të diskutoj nesër për Korçën. Ruçi e refuzo

Blerja e votës në Korçë është shndërruar në një “mollë sherri” mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare. Pas debateve në komisionin e shëndetësisë për këtë problem, debate janë shënuar sot edhe në Konferencën e kryetarëve.Në fillim të mbledhjes, Edi Paloka Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së ngriti shqetësimin në lidhje me zgjedhjet për pushtetin lokal në Korçë.“Nuk ka gjë më të rëndë për demokracinë në Shqipëri sesa konfirmimi i faktit që në Shqipëri nuk zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne si opozitë kërkojmë që nesër edhe parlamenti shqiptar të marri një pozicion. Ne si opozitë kemi pozicionin tonë dhe jemi në dijeni që në nivel lokal është prononcuar Partia Socialiste për këtë ngjarje. Ne si parlament duhet të zhvillojmë një debat dhe të mbajmë një pozicion’, - tha Paloka.Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, z. Gramoz Ruçi sqaroi se, Kuvendi i Shqipërisë funksionon mbi bazën e një Rregullore, në të cilën parashikohet qartë 60 minuta për të folur rreth çështjeve jashtë rendit të ditës. Kuvendi ka rregulla, norma se si zhvillohen debatet.Në lidhje me këtë çështje, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta shprehu qëndrimin e tij si Kryetar i Kuvendit, i cili mbështeti Prokurorinë në punën e saj për këtë çështje, e cila i takon dhe Gjykatës, ndërsa shtoi se : “ Në lidhje me diskutimin për nesër jam i detyruar që çdo gjë ta bëjmë me konsensus në rast se nuk ka një respektim rigoroz të Rregullores, në 60 minuta secili mund të shprehet për këtë çështje”.Konferenca e Kryetarëve dhe miratoi Kalendarin Tre javor të Punimeve të Kuvendit. Në rend të ditës u diskutuan tri çështje kryesore: miratimi i kalendarit tre javor të punimeve të Kuvendit 11 nëntor – 27 nëntor 2013 ; kërkesë për zhvillim të mocionit për debat në Kuvend për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, kërkuar nga. Edi Paloka, Kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, propozim për ngritje të dy nënkomisioneve parlamentare në përbërje të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut propozuar nga z. Fatmir Xhafa, kryetar i këtij komisioni. Përkatësisht nënkomisioni për Qeverisjen Vendore dhe nënkomisioni për të Drejtat e Njeriut.Në lidhje me kërkesën për mocion, kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu kërkoi që data të lihej jo më larg sesa fundi i nëntorit 2013, për arsye se duhet arritur koha para paraqitjes në Parlamentin Europian të Rezolutës për Shqipërinë.Ndërkaq të enjten është seanca e radhës, e cila pritet të nisë punimet në orën 10:00 të paradites.