Blerja e votës, PD komision hetimor parlamentar:Të mbrojmë themelet e pluralizmit
Kritik ndaj këtij fenomeni është shprehur edhe ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, duke e konsideruar një këmbanë alarmi për zgjedhjet e ardhshme lokale. Në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj, Alibeaj tha se zgjedhjet në Korçë ishin test për mazhorancën, sa e aftë ishte ajo për të ofruar një proçes të drejtë zgjedhor.

“Në të gjitha rastet kur ndodhin të tilla fenomene qasja që duhet të ketë një forcë politike është të jetë serioze. Kërkimi i pavlefshmërisë, anullimi është një mjet i mirë jo vetëm për të treguar seriozitetin e vetë palës që e kërkon, por dhe për të testuar sistemin. Me rëndësi është të shohim që ky proçes zgjedhor në Korçë ishte test dhe për kë? Palët dihen, mazhoranca e sapoardhur në pushtet dhe opozita e sapozbritur nga pushteti. Testi i parë dhe më i rëndësishëm nuk ka qenë mes kandidatëve për kryebashkiakë. E dyta nuk ishte test për opozitën, pasi për kaq pak kohë që ka kaluar nga zgjedhjet kur dihet se cili ka qenë vlerësimi, nuk mund të prisnim ndonjë rezultat të madh . E vetmja gjë që ngeli se ishte test, ishte për mazhorancën. Ajo çfarë ishte sfidë për të , ishte qasja, psikoza me të cilën mazhoranca do të ofronte apo do krijonte një proçes zgjedhor. Ky proçes ishte ndërtuar nën përkujdesjen e mazhorancës së re. Me atë çfarë ndodhi në Korçë, po instalohet, po mbillet kultura e blerjes së votës, kultura e deformimit të demokracisë. Një mazhorancë e sapoardhur në pushtet i kishte të gjitha mundësitë për tu rikonfirmuar. Ishin të gjitha gjasat që nuk duhet ta shtynin Edi Ramën për të shkuar drejt një krimi të tillë elektoral kundër demokracisë. Më e rëndë se kjo ishte sjellja parazgjedhore e Kryeministrit, mori dy ditë më parë qeverinë dhe e instaloi atje, nuk ka ndodhur ndonjëherë një gjë e tillë, kjo tregon demostrim force, është një ogur i zi sesi kjo qeveri mund të përgatisë procesin e ardhshëm zgjedhor” tha ai.
Në cilësinë e ish-Ministrit të Drejtësisë dhe ekspert në fushën juridike, Alibeaj thekson se blerja e votës, qoftë dhe në raste fragmentare është vepër penale. Si e tillë, ai vlerëson se mund të parandalohet vetëm me një veprim me dorë të hekurt nga organi i akuzës.

“Blerja e votës qoftë dhe në raste fragmentare është vepër penale. Nëse duhet të ndërmerren masa për parandalim absolutisht nuk duhet të diskutohet në nivel partish, pasi s’mund të parandalohet. Prokuroria duhet të veprojë. Vetëm në këtë mënyrë mund të jepët një mesazh për mospërsëritjen. Pak rëndësi ka se nga gjenden këto burime, dramatike është përse ndodh. Kurrë qeverisja e marrë në këtë mënyrë nuk do ketë në fokus të vet individin, është e destinuar të shkojë në kundërshtim të hapur me interesat e qytetarëve. Qytetarët sot nuk janë të qetë dhe s’po lihen të jenë të qetë për të parë cilësinë e vërtetët të kësaj mazhorance, po bombardohen me demagogji, shpërfillet ligji, mospërhapja e asnjë lloj ideje që të përceptohet në mënyrë të butë dhe të qetë nga njerëzit. Por ky rast në Korçë na bën të mendojmë se në 23 qershor paska qenë shumë më i sofistikuar. Rreziku është i madh, këmbanat duhet të bien. Deri më sot nuk ka asnjë lloj prononcimi nga Kryeministri dhe duhet të ketë”theksoi Alibeaj.
Cilado qoftë përmasa e shtrirjes së fenomenit të blerjes së votës, qoftë në 23 qershor, por edhe në këto lokale në Korçë, nuk justifikon paraqitjen e dobët të opozitës. E lidhur me këtë virus që duket se po e gërryen PD, Alibeaj ka një këshillë të sinqertë:

“Nëse ishte test ishte për qeverinë. Gjithsesi realisht shpresoja të kishte një rezultat që cilësisht mund të mos çonte në fitore, por në një rezultat më të mirë jo për të gjetur një justifikim, por duket që ka diçka që nuk shkon. Defekti që çoi në humbjen e zgjedhjeve në 23 qershoit, duket se paska qenë më i madh sesa aq, nga ana e mbështetësve të djathtë ka ende nevojë për të nxjerrë refuzim. Nuk shpejtoj të them se çfarëdo ndryshimi i bërë nga kryetari i ri në PD nuk do të mund të kishet sjellë një fitore në Korçë, por proçesi i ristrukturimit të PD duhet të kishte filluar sikundër dhe lëvrimi i ideve. PD ka nevojë imediate për një rideminsionim të konceptit ideologjik mbi të cilën duhet të mbështetet. Duhet të hiqet dorë nga çfarëdo lloj frike se ky ndryshim mund të sjellë pasoja, ky është proçes që krijon dhe kosto, por opozita është sakrificë. Për mendimin tim kjo ësstë rruga, nëse janë të gatshëm apo jo, këtu pastaj me rëndësi është dhënia e mundësisë dhe ofrimi i kushteve të barabarta në garë. Duhet të shihet realiteti në sy, nevojitet një katarsis i gjithë strukturave të PD. Shpresoj që këto të përtypen dhe të kemi një moment të ri të ngritjes së vlerave të ideologjisë së djathtë në Shqipëri”përfundoi ai.