PD:Tatimet gënjyen, mblodhën 15 milionë dollarë më pak se plani

Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në raportimin e saj mujor foli për një tejkalim të planit në mbledhjen e të ardhurave, Partia Demokratike shprehet se kemi 15 milionë dollarë më pak se plani.Ish-Ministri i Ekonomisë, Florion Mima, në një deklaratë për mediat tha se edhe kjo është vazhdimësi e orakullit të aktit normativ të miratuar nga qeveria, i cili në mënyrë totalisht të papranueshme uli planin e të ardhurave për 4 muajt e fundit të vitit me rreth 250 milionë dollarë.“Mbrëmë, Kryeministri i vendit njoftoi se kriza ekonomike do të përfundokërka me 31 dhjetor 2013. Lajm ky, që do duhej të gëzonte të madh e të vogël në vendin tonë, por që njëkohësisht do te duhej t’i jepte edhe një përgjigje të thjeshtë pyetjes se, kur filloi kriza me e thelle qe ekonomia shqiptare paskësh njohur ndonjëherë, s’pasoja pati dhe po ashtu si përfundoi ajo kaq shpejt, thjesht me një deklarim kryeministror. Sot, agjencia kryesore e të hyrave publike i mbajti ison Orakullit të Ekonomisë duke na dhënë lajmin e bujshëm se të ardhurat e planifikuara ne aktin normativ për muajin tetor, u tejkaluan me rreth 2 miliardë lekë e po aq më shumë se sa fakti i tetorit të kaluar.Kjo konfirmon ekzaktësisht atë çfarë PD kishte paralajmëruar, kur u diskutua akti normativ për ndryshimet ne buxhetin e 2013, i cili në mënyrë totalisht të papranueshme uli planin e të ardhurave për 4 muajt e fundit të vitit me rreth 250 milionë dollarë. Në atë kohë, ne paralajmëruam se ekonomia shqiptare, si një ekonomi krejtësisht jashtë territorit të krizës, natyrshëm i prodhon këto të ardhura, mjafton vullneti për t’i mbledhur ato. Sot, ajo që ne paralajmëruam është e konfirmuar katërcipërisht dhe publiku duhet te mësojë se megjithë këtë tejkalim të “bujshëm” të planit të sajuar të të ardhurave, përsëri janë rreth 15 milionë dollarë që mbeten pa u mbledhur nga plani fillestar i të hyrave publike” tha Mima.Mungesën në mbledhje e të ardhurave, Mima e ka lidhur edhe me skandalin e publikuar në Korçë, duke e vlerësuar si një nga destinacionet përfundimtar të këtyre parave.“Çdo shqiptar me të drejtë mund të pyesë: “Ku shkuan këto 15 milionë dollarë të pambledhura vetëm në një muaj?”. Emisionet investigative kanë zbuluar mbrëmë një copëz të destinacionit përfundimtar të këtyre parave, që duhet të shkonin në arkën e përbashkët e që padrejtësisht janë drejtuar për tjetërkund. Prokuroria e shtetit sot ka vendosur sekuestro mbi regjistrat e Rilindjes. Aty është vetëm një pjese e përgjigjes” përfundoi ai.Më herët gjatë ditës, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj deklaroi se administrata tatimore tejkaloi me 6 për qind planin e pandryshuar të ardhurave dhe paralelisht ka arritur të zbulojë edhe një tjetër mashtrim pas atij me skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar."Për muajin tetor, administrata tatimore ka realizuar planin e mbledhjes së të ardhurave dhe të kontributeve të sigurimit shoqëror në masën 106 për qind, krahasuar me planin e Qeverisë së mëparshme. Ne arritëm të mblidhnim 12 milionë dollarë më shumë se muaji shtator i po këtij viti.Të grumbulluara gjithsej si të ardhura tatimore janë 756 milionë lekë më shumë krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Kjo rritje prej 9 për qind e krahasuar me vitin e kaluar tregon punën e re të administrimit që kemi vendosur, duke u mbështetur tek goditja e fortë e sjelljeve korruptive edhe skemave mashtruese, sikundër jeni njoftuar edhe më parë gjatë këtij muaji. Përveç zbulimit të skemës mashtruese të rimbursimit të TVSH-së me vlerën 515 milionë lekë, kemi arritur të zbulojmë edhe një vlerë tjetër evazioni në masën e 295 milionë lekëve dhe kjo vetëm për dy javë", u shpreh Shehaj.