Rama takohet me Gruevskin: Kujdes shqiptarët, janë faktor shtetëformues
"Ndjekim me shqetësim kur shfaqet intolerancë dhe dhunë nderetnike, kemi bërë thirrje të vazhdueshme për maturi dhe vetëdije se suksesi i përbashkët është mbarëvajtja e marrëdhënieve ndëretnike.Bashkërisht do ndërtojmë të ardhmen. Shqiptarët janë pjesë shtetformues në Republikën e Maqedonisë. Të interesuar të implementohet marrëveshja e Ohrit. 2014 viti i parë, vigjiljen e të cilit e presim në paqe. Kjo falë marrëveshjes Kosovë - Serbi. E ardhmja e rajonit në BE. Rajoni mundësi të shfrytëzojë paqen si hapësirë për zhvillim” është shprehur Rama.Ndërsa Kryeministri maqedonas ka preferuar të anashkalojë Marrëveshjen e Ohrit, duke u mjaftuar me deklaratën se marrëdhëniet ndëretnike janë stabile dhe se ato po ngriten vazhdimisht përmes një debati. Ndërkaq ai theksoi mbështetjen e Maqedonisë në integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe që të dyja vendet të kenë përparim në planin e eurointegrimeve.
“Bashkërisht vlerësuam se ka kontinuitet të bashkëpunimit dypalësh, për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, rrugor dhe hekurudhor dhe projekte në fushën e energjetikës. Jemi në fazën e nisjes për autostradën e Korridorit 8 dhe jemi të përkushtuar që të kemi kemi lidhje rrugore sa më të mirë me Shqipërinë”, theksoi Gruevski, duke shtuar se Maqedonia mbetet e angazhuar në përparimin e marrëdhënieve midis dyja vendeve në frymën e mirëkuptimit dhe miqësisë së mirë.Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni, Kryeministri Rama zhvilloi takime të veçanta me Presidentin George Ivanov dhe Kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski.
Në takimet me zyrtarët më të lartë të Maqedonisë u vlerësuan marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe u theksua nevoja që këto marrëdhënie të shoqërohen edhe me forcimin e bashkëpunimit ekonomik në fusha të interesit të përbashkët.
Në takim, Kryeministri Rama vlerësoi se zbatimi me rigorozitet i marrëveshjes së Ohrit, me fokus të veçantë arsimin, i shërben mbarëvajtjes së marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni dhe të ardhmes së përbashkët.
Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, Kryeministri theksoi se paqja e vendosur në rajon është një hapësirë e re zhvillimi dhe nxit forcimin e bashkëpunimin midis vendeve të rajonit.
“U takon liderëve politikë,” - u shpreh Kryeministri - “ta shndërrojnë këtë paqe në zhvillim ekonomik.”
Ndërkohë mbrëmjen e djeshme, Kryeministri shqiptar Edi Rama ka qenë i pranishëm në një darkë me dy liderët e partive shqiptare Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.
‘Darkë vëllazërore në Shkup me Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçin” ka shkruar Rama në rrjetin social “Twitter”.Kjo është vizita e parë e kryeministrit Rama në Shkup që nga zgjedhja e tij si kryeministër i vendit.Para mbërritjes së kryeministrit shqiptar, dy partitë e mëdha shqiptare shkëmbyen akuza lidhur me organizimin dhe pritjen e kryeministrit shqiptar.