Dhunimi i zyrës së PD në Mat, Strazimiri: Vepër e Kryeministrit 2000 lekësh
Partia Demokratike ka dënuar dhunimin e zyrës së kësaj partie në Mat. Deputeti demokrat, Gent Strazimirim, në një deklaratë për mediat ka bërë përgjegjës Kryeministrin dhe qeverinë e tij, pasi sipas tij ngjarja është është fragment i klimës së terrorit dhe antiligjit që ka mbërthyer vendin.“Mbrëmë në orët e vona të natë është dhunuar zyra e degës së Partisë Demokratike në Mat. Zyrat e PD nuk kanë ndonjë vlerë të madhe në mall që të jenë në vëmendje të përsëritur të hajdutëve. Kjo ngjarje nuk është vjedhje, por është një dhunim, është fragment i klimës së terrorit, të antiligjit që po krijon vetë Kryeministri dhe qeveria e tij në të gjithë vendin. Dhunohet vota e lirë në Korçë, dhunohet zyra e PD në Mat, dhunohet siguria e qytetarëve për të drejtën e pronës etj. Dhuna është e vetmja gjë që po prodhon kjo qeveri, sepse asgjë tjetër nuk po prodhohohet më në këtë vend. Klima e frikës dhe terrorit po ndihet mbi të gjithë qytetarët e vendit, por në veçanti qeveria e Edi Ramës është e interesuar të vërë nën presion demokratët dhe opozitën e vendit me blerje votash, me blerje mandatesh, dhunim zyrash” tha ai.Sipas ligjvënësit demokrat, Kryeministri po tenton të shkurajojë demokratët, ndërsa ka shprehur vendosmërinë e PD për të luftuar antiligjin e kësaj qeverie që sipas tij po bën cdo ditë zullum më shumë nga çmund të mbajë.“Me dhunë të çdo natyre Kryeministri 2 000 lekësh po rreket të shkurajojë demokratët dhe qytetarët e këtij vendi kudo ku ndodhen dhe cilindo që nuk brohoret për të . Por demokratët nuk tremben , ne nuk tulatemi për asnjë moment, kemi parë dhe më keq se kaq. Jemi dhe do të jemi përballë antiligjit, kundër anti-kushtetueshmërisë, përballë dhunës së këtij 2 000 lekëshi dhe qindarkave që ka në ekip dhe që po e bën çdo ditë e më tepër zullumin më të madh nga çmund të mbajë” përfundoi Strazimiri.Zyra e PD në Mat u dhunua në orët e vona të një nate mëparë, ndërsa vlen të theksohet fakti se ky është rasti i dytë që kjo zyrë vihet në shënjestër të “bastisjes”.