“Nëpunësi civil”, Kushtetuesja shqyrton më 26 nëntor ankimimin e PD-së
Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë më datën 26 nëntor, në orën 10:00, ankimimin e Partisë Demokratike për shpalljen si të papajtueshëm me ligjin, të aktit normativ për shtyrjen e ligjit “Për nëpunësin Civil” .Njoftimin e bën vetë Gjykata Kushtetuese në faqen e saj zyrtare, në listën e çështjeve të planifikuara për gjykim.Sipas Kushtetueses, kërkues janë “një e Pesta e Deputetëve të Shqipërisë (Anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet)”.Ndërkohë që objekti është “Shpallja si i papajtueshëm me Kushtetutën i aktit normativ nr.5, datë 30.09.2013 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime në ligjin nr.152/2013 “Për nëpunësin civil””. Pezullimi i aktit normativ nr.5, datë 30.09.2013 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime në ligjin nr.152/2013 “Për nëpunësin civil””.Ankimimi i PD-sëNë materialin prej 17 faqesh, të firmosur nga shumica e deputetëve të koalicionit të djathtë, argumentohet se përse akti normativ bie ndesh me ligjin themeltar të shtetit dhe si i tillë duhet pezulluar.“Mungesa e nevojës dhe urgjencës, si dhe mungesa e shkaqeve reale që përligjin ekzistencën e një gjendjeje jo normale në jetën e vendit, që do të justifikonte nxjerrjen e aktit normativ, përbën shkak për deklarimin e tij të papajtueshëm me Kushtetutën. Kjo për faktin se nevoja dhe urgjenca duhen kuptuar si parakushte të domosdoshme, mosqenia e të cilave sjell në këtë rast pavlefshmërinë e aktit normativ me fuqinë e ligjit”, thuhet në kërkesë-padinë e demokratëve.Një tjetër argument i PD-së është edhe ai i faktit se ligji për nëpunësin civil është votuar në Kuvend me shumicë të cilësuar, ndërkohë që qeveria aktuale nuk ka marrë pëlqimin e 3/5 të anëtarëve të Parlamentit. “Një tjetër aspekt me rëndësi në këtë çështje është edhe fakti se akti normativ nr. 5/2013 ka vendosur ndryshimin e një ligji të miratuar me votat e më shumë se 3/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Paraprakisht sqarojmë se përbërja aktuale e Këshillit të Ministrave ka marrë pëlqimin e më pak se 3/5 të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet më tej në materialin e depozituar dje në mesditë në Gjykatën Kushtetuese. Sipas PD-së, shtyrja e hyrjes në fuqi të ligjit të nëpunësit civil është bërë në mënyrë arbitrare dhe në shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve.Në kërkesë-padi argumentohet, sipas PD-së, edhe fakti se përse ligji është shtyrë me gjashtë muaj. “Duke shtyrë me 6 muaj prodhimin e efekteve të ligjit të ri, Këshilli i Ministrave i ka dhënë 3 muaj kohë vetes për të bërë të mundur largimin e nëpunësve civilë aktualë dhe zëvendësimin e tyre deri më datë 1 janar 2014 me punonjës të rekrutuar jashtë procedurave të parashikuara nga ligji. Kjo për faktin se neni 68 i ligjit nr. 152/ 2013 do t’i shtrijë efektet për periudhën 1 janar 2014 – 1 prill 2014, duke mos mbuluar periudhën 1 tetor 2013 – 1 janar 2014″.