Tahiri: Task-Forcë kundër kontrabandës së mineralit të kromit

Ministria e Brendshme ka urdhëruar ngritjen e një Task-Force për ndalimin e kontrabandës së mineralit të kromit. Urdhri është komunikuar nga Ministri Tahiri, i cili i shoqëruar dhe nga kreu i policisë së shtetit mbajti një takim me dyer të mbyllura me drejtuesit e policisë së Lezhës dhe Dibrës.Ministri tha se shumë shpejt do të nisin kontrollet dhe verifikimet në lidhje me shkelësit e ligjit, për të frenuar këtë fenomen shqetësues“Historia e të paprekshmëve ka mbaruar, askush nuk mund të jetë mbi ligjin, asnjë shkelës nuk do të tolerohet.“Zero” tolerancë ndaj krimit. Duhet që policia të bëhet organizata më e pastër, ka ende shumë punë për të bërë, për këtë keni mbështetjen time dhe të drejtorit të Policisë së Shtetit, të gjithë ne jemi në provë përpara qytetarëve”tha ai.Takimi i sotëm vjen pas bllokimit nga policia e Lezhës të 15 kamionëve të ngarkuar me mineral kromi dhe 4 kamionë të ngarkuar me inerte, për të cilët transportuesit nuk kishin dokumentacionin përkatës. Minerali u përket disa subjekteve të biznesit, të cilat operojnë në rrethet e Bulqizës dhe Dibrës.Në lidhje me këtë aksion ka nisur edhe një hetim, ndërsa janë marrë në pyetje drejtuesit e mjeteve, të cilët janë shoqëruar për në komisariatin e Kurbinit.Çështja tashmë i ka kaluar prokurorisë së rrethit gjyqësor për veprën penale “Fshehje të ardhurave” dhe “Falsifikim dokumentesh” kryer në bashkëpunim.