Vodhi makinat e bllokuara nga policia, gjykata lë në burg efektivin Kastriot Gjini

Gjykata e Kurbinit ka dhënë sot masën e sigurisë “burg pa afat” për efektivin e policisë Kastriot Gjini, nën akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën. Ai u arrestua në flagrancë vetëm 2 ditë më parë, ndërsa po shiste pjesë të një autoveture që ishte bllokuar nga ana e Policisë Rrugore të Kurbinit pak ditë më parë.Kastriot Gjini, 39 vjeç ka qenë me shërbim në turnin e parë, në pikën e bllokimit të makinave, e cila ndodhet tek ish-reparti i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Kurbinit. Mësohet se policia kishte mundur të siguronte në rrugë operative se Kastriot Gjini kishte kohë që kishte nisur çmontimin e pjesëve të ndryshme të mjeteve të bllokuara dhe kishte nisur t’i shiste, pasi ishte lidhur me drejtues mjetesh.Burime zyrtare të Policisë së Kurbinit thanë dje se Kastriot Gjini e kishte marrë shërbimin në orën 06:00 të mëngjesit të së dielës dhe do ta linte atë në orën 14:00. Ndërkohë ai po mbahej nën mbikëqyrje pas sinjalizimit të veprimeve të tij. Sipas burimeve të informacionit, Kastriot Gjini kishte njoftuar një nga drejtuesit e mjetit, i cili mendohet të ishte edhe i infiltruar, që të shkonte të merrte pjesën e hequr nga një makinë, kundrejt një vlere prej 12 mijë lekësh.Në momentin kur polici Gjini ka qenë duke i dhënë pjesën motorike drejtuesit të veturës dhe po merrte paratë, ai është prangosur menjëherë në flagrancë nga ana e forcave të Komisariatit të Kurbinit.