Basha: Rama damkosi Korçën, po kërkon të eleminojë votën e lirë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar sot Partinë Socialiste se ka shkatërruar me paratë e mafias zgjedhjet në Korçë.Në një konferencë për shtyp, Basha u shpreh se blerja e votave tregoi edhe metodën që është ndjekur nga Partia Socialiste edhe në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit."Partia Socialiste e Edi Ramës damkosi dhe shkatërroi me paratë e pista zgjedhjet e së dielës në qytetin e Korçës. Banda e kapur nga kamerat dhe simotrat e saj të vendosura në pika të ndyshme të qytetit  për të  blerë  vota, për të blerë abstenimin e zgjedhësve të supozuar si kundërshtarë  të Partisë Socialiste dhe për të ushtruar presion mbi zgjedhësit  në përgjithësi,  e ushtruan  veprimtarinë e tyre kriminale  nën hundën dhe me bekimin e Edi Ramës dhe mbarë kupolës  së qeveritarëve dhe mercenarëve të tyre që kishin zbarkuar në Korçë dy ditë me radhë për të drejtuar dhe siguruar operacionin e  manipulimit të  zgjedhjeve me  metodën  e tyre perverse dhe kriminale të blerjes së votës. Në Korçë Rama dhe të tijtë bënë të dielën një provë të përqendruar të kësaj metode të përdorur edhe në zgjedhjet politike të 23 qershorit, me planin për ta përdorur gjerësisht në zgjedhjet e ardhshme. Ky është shpjegimi i arbitraritet dhe paligjshmërisë që po ngrenë me shpejtësi në sistem në qeverisjen e tyre:  eliminimi i zgjedhjeve të lira, eliminimi nëpërmjet  blerjes së votës i gjykimit të  drejtë popullor" tha Basha.Duke përsëritur kërkesën për hetim të plotë deri në fund të krimit të blerjes së votës në Korçë ka deklaruar se PD-ja ka gati kerkesën për anulimin e zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre sipas ligjit."I kërkojmë prokurorisë që në mënyrë urgjente të kryejë sekuestrimin e të gjitha materialeve në të gjitha zyrat e Partisë Socialiste në Korcë. Te kryejë një hetim të shpejtë, të plotë dhe të gjithanshëm të ekzekutorëve që blenë votat në shkëmbim të parave por mbi të gjitha te organizatorëve që perdoren para te mafias për të blerë pushtetin e bashkisë së Korçës. Ky hetim duhet domosdoshmërisht të shtrihet tek burimet e financimit, ku u gjetën paratë, si u transferuan, kush janë financuesit e këtij krimi që tronditi shqiptarët. Vetëm hetimi i plote i këtij krimi dhe parave të krimit do e bëjë të besueshëm këtë proces. Kemi përgatitur dhe do të zyrtarizojmë kërkesën për anullimin e zgjedhjeve botërisht të manipuluara të së dielës në Korçë, dhe krijimin e kushteve për përsëritjen e tyre në një kohë të përshtatshme, me garancitë e domosdoshme ligjore dhe kushtetuese" tha Basha.