Bllokohen 15 kamionë me krom, Tahiri për inspektim në Lezhë

Bllokohen në qarkun e Lezhës 15 kamionë të ngarkuar me mineral kromi dhe 4 kamionë të ngarkuar me inerte, për të cilët transportuesit nuk kishin dokumentacionin përkatës. Nga kontrolli i ushtruar nga policia e Lezhës ne aksin rrugor Milot-Laç, është bërë i mundur bllokimi i 19 kamionëve, nga të cilët 15 te ngarkuar me mineral kromi dhe 4 kamionë të ngarkuar me inerte.Nga veprimet e para hetimore të kryera nga ana e policisë rezulton se materiali i ngarkuar me krom dhe inerte në këta kamionë, nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm ligjor dhe shoqerohet me faturë të thjeshtë shoqërimi, ku nuk është shënuar sasia e mallit dhe as vlera e tij. Minerali u përket disa subjekteve të biznesit, të cilat operojnë në rrethet e Bulqizës dhe Dibrës.Në lidhje me këtë aksion ka nisur edhe një hetim, ndërsa janë marrë në pyetje drejtuesit e mjeteve, të cilët janë shoqëruar për në komisariatin e Kurbinit.Çështja tashmë i ka kaluar prokurorisë së rrethit gjyqësor për veprën penale “Fshehje të ardhurave” dhe “Falsifikim dokumentesh” kryer në bashkëpunim, ndërsa për inspektim në Lezhë ka mbërritur edhe ministri i brendshëm Saimir Tahiri.