Basha-Papoulias:Traktati i ’96, bazë për të zgjidhur çdo problem mes dy vendeve

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh lideri i opozitës,  Lulzim Basha priti në një takim presidentin e Greqisë, Karolos Papoulias. Gjatë takimit u vunë në dukje arritjet në marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve tona gjatë viteve të fundit, rritja e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike, mbështetja që Greqia i ka dhënë integrimit europian dhe euro-atlantik të Shqipërisë dhe bashkëpunimit strategjik, për suksesin e projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik, TAP.Kreu i opozitës Basha ka kërkuar mbështetjen e Greqisë e cila merr presidencën e radhës së BE-së, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014,  për hapjen e negociatave, duke shprehur angazhimin e  opozitës, për të dhënë kontributin e saj për marrjen e statusit në dhjetor dhe për hapjen e shpejtë të negociatave për anëtarësim.Presidenti grek, Papulias ka theksuar se viti 2014 është mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi Greqia dhe Italia marrin njëra pas tjetrës presidencën e BE. “Ne do t’ju mbështesim, me shpresën që procesi i integrimit europian i Shqipërisë të ecë përpara, gjatë presidencës sonë”  theksoi presidenti grek Papulias.Ndërsa i ka vlerësuar shumë të rëndësishme marrëdhëniet me shtetin fqinj, Basha ka theksuar se për të arritur nivele edhe më të larta dhe për të shfrytëzuar plotësisht potencialin që ekziston në marrëdhëniet shqiptaro-greke, duhet të trajtohen në frymën e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë të gjitha çështjet e mbartura dhe të zgjidhen duke demonstruar vullnet të përbashkët dhe vizion europian, si dy nga popujt më të vjetër të rajonit.Në këtë kuadër, Basha përsëriti kërkesën për anulimin e ligjit të luftës. “Ligji i luftës nuk duhet të ekzistojë, jo vetëm se Shqipëria dhe Greqia janë dy popuj miq, 2 vende anëtare të NATO-s por krijon një perceptim të gabuar për marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe për shkak të problemeve që hap në lidhje me sekuestron konservative të pronave të qytetarëve shqiptarë, veçanërisht atyre çamë” - deklaroi zoti Basha.Kreu i opozitës kërkoi angazhimin e Greqisë edhe për zgjidhjen e problemit të toponimeve, që ka vështirësuar lëvizjen në kufi të qytetarëve shqiptarë të lindur në Greqi. Lidhur me këtë çështje, presidenti Papulias theksoi se është ngritur një komision i përbashkët mes dy vendeve dhe shprehu bindjen se shumë shpejt do t’i jepet një zgjidhje përfundimtare këtij problemi.Ai vlerësoi si bazë shumë të mirë dhe solide, traktatin e vitit 1996, të “miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë” mes dy vendeve,  për të zgjidhur çdo problem të mbetur dhe për të nxitur dhe forcuar bashkëpunimin e mëtejshëm mes dy vendeve. Duke vlerësuar hapat e marra nga Greqia, në ndërtimin e marrëdhënieve me shtetin e ri të Kosovës, z. Basha theksoi rëndësinë e veçantë që ka për çdo qytetar shqiptar njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti helen.Presidenti grek Papulias ka vlerësuar si të guximshme dhe në drejtimin e duhur, marrëveshjen Prishtinë-Beograd. "Çuarja përpara e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të detyrojë dhe 5 vende anëtare të BE, mes të cilave dhe Greqia, të cilat ende s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, t’i përshtaten realitetit të ri"- theksoi presidenti  Papulias.