Simpoziumi mbi etikën në gjyqësor, Arvizu: Pavarësia, sfida kryesore e gjyqësorit
Në fjalën e tij në simpoziumin e etikës në gjyqësore, diplomati amerikan u shpreh se disa gjyqtarë duhet të kishin përfunduar në burg për korrupsion. Ndërsa ka kërkuar nga gjyqtarët vendime kurajoze, në mënyrë që perceptimi i qytetarëve për gjyqësorin të ndryshojë.

“Nuk ka gjë më të rëndësishme në një demokraci sesa roli që luan gjyqësori i pavarur dhe pavarësia e gjyqësorit, nuk është mendimi im personal, politikë e qeverisë së SHBA për pavarësinë e gjyqësorit. Pavarësia është për të vendosur bazuar ne ligjin dhe faktet dhe jo trysninë politike, për ta mbajtur veten e pastër ndaj gjyqtarëve të pandershëm e të korruptuar” tha ambasadori.
Ambasadori Arvizu u shpreh se për të pasur një gjyqësor të pavarur duhet përkushtim nga ana e të gjithë aktorëve duke shtuar se SHBA-ja është e gatshme për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë drejtim.
“Ne mbështesim këtë pavarësi dhe jemi këtu për tu ndihmuar. Gjykatësit kanë përgjegjësi të madhe, populli pret drejtësi për të trajtuar të varfrit njësoj si të pasurit, për t’u qëndruar trysnive jo vetëm të fuqishmëve politikisht, por edhe atyre që janë pranë jush” u shpreh Arvizu.
I pranishëm në simpozium presidenti, Bujar Nishani, tha se sfidat për gjyqësorin vazhdojnë të jenë të mëdha.

"Shqipëria në këto 25 viteve të fundit ka bërë ndryshime të paimagjinueshme në radhë të parë për ne vetë shqiptarët. Sot kemi një trup gjyqësor të konsoliduar, kemi gjykata speciale, një sistem prokurorie që mbron pavarësinë dhe funksionimin e prokurorisë. Sot flasim për sistemin e provës, flasim për shërbimin përmbarimor privat. Sot kërkojmë standartet më të mira europiane dhe ndërkombëtare. Kjo është detyrë, kjo është sfidë. Së pari kërkohen angazhime të vetë institucioneve shqiptare por praktika ka treguar se kjo nuk mund të arrihet vetëm me këto angazhime. Dhe për këtë falenderoj bashkëpunimin e partnerëve ndërkombëtare. Sfida për shtetin ligjor është një sfidë që nuk përfundon kurrë por kërkon gjithmonë standarte të reja. Ky qëndron besoj edhe çelësi i zgjidhjes së problematikave, tek përcaktimi i drejtë i hapave dhe orientimi i standarteve që kërkohen dhe jo për ne që jemi brenda insitucioneve por për shërbimin që duhet të marrë qytetari” u shpreh Nishani.
Presidenti u shpreh gjithashtu se nuk është e drejtë që në sajë të performacës së korruptuar të disa individëve në gjyqësor të përcaktohet e gjithë trupa e gjyqësorit.
“Unë jam dakort me atë që shprehu ambasadori Arvizu që midis qytetarëve ka një preceptim jo pozitiv në lidhje me integritetin dhe pjesërisht profesionalizmin e gjyqtarëve tanë. Por unë besoj gjithashtu se nuk është e drejtë që të përcaktohet e tërë trupa gjyqësore me performancën e një numri të caktuar individësh brenda gjyqësorit që nuk e meritojnë të jenë gjyqtarë dhe prokurorë por meritojnë të ndeshen me padi penale, me hetim penal. Por unë kam besuar se kurimin dhe kuruesi më i mirë i sistemit gjyqësor dhe ndoshta i vetmi duhet të jetë vetë trupa e gjyqtarëve, vetë sistemi i gjyqsorit" u shpreh Nishani.
Për kryetarin e gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, dy probleme të mprehta të drejtësisë janë korrupsioni si dhe emërimi i gjyqtarëve.
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka qënë më i drejtpërdrejtë në fjalën e tij, ku sqaroi se ka ardhur koha për veprime në mënyrë që situata të ndryshojë.