Përurohet shtatorja e Ismail Qemalit, Berisha: Themeluesi i Shqipërisë etnike
Pas një shekulli, plot 100 vjet pa dy ditë nga dita kur në qytetin e Vlorës shpalli pavarësinë e vendit dhe ngriti flamurin kombëtar, kthehet në kryeqytet shtatorja e babait të pavarësisë Ismail Qemailit. Në një ceremoni soleme me pjesmarrjen e Kryeministrit Berisha, kryeparlamentares Topalli, kryebashkiakut Basha, Ministrit të Kulturës Bumci dhe një sërë përfaqësuesish vendorë nga të gjitha trevat shqiptare është zbuluar shtatorja e burrit të kombit, ai që shënjoi me germa të arta historinë e Shqipërisë.Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha e vlerësoi figurën e Ismail Qemailit si një politikan i kalibrit botëror, që me punën dhe angazhimin e tij ndër vite bëri qe ne sot të gëzojmë të lirë.“Jemi sot këtu për të përuruar shtatoren e atit, babait të pavarësisë së Shqipërisë, njërit prej burrave më të mëdhenj, të shquar, të guximshëm misionarë të historisë së kombit tonë Ismail Qemal Vlora, pasardhës i një prej familjeve më të fuqishme shqiptare, asaj të Sinan Pashës. Ismail Qemali do të ishte dhurata më e cmuar për këtë familje për atë që do të bënte për kombin dhe Shqipërinë. Si politikan i një kalibri botëror, ai kuptoi se Aleanca Ballkanike ishte një aleancë kryekëput antishqiptare. Pas një udhëtimi biblik, 27 ditor në të cilin kaptoi detëra, male, ai erdhi zbarkoi në Durrës dhe rendi në Vlorë për të shpallur aty pavarësinë me 28 nëntor 1912 për të ngritur flamurin kombëtar, atë të Skëndërbeut. Ai jo vetëm është ati i pavarësisë, por krijoi dhe themeloi qeverinë e parë shqiptare. Ky është akti i themelimit të Shqiperisë etnike. Fuqitë e mëdha do të mblidhnin Konferencën e Londrës. Por tjetër u shpall në Londër dhe tjetër u vendos dhe këtë e kuptoi babai i pavarësisë dhe bëri gjithcka për t’iu kundërvënë. Në këto kushte fuqitë e mëdha e internuan në Nisë, por edhe atje ai punoi cdo orë cdo minutë për Shqipërinë etnike, për shqipërinë e pavarur. Ne jemi të lirë sot falë këtij akti dhe këtij burri dhe burrave të tjerë” tha Berisha.“27 ditë tu deshën për të kaluar 7 vende, ndërsa një shekull për të dalë në sheshin e kryeqytetit tënd. Ta lexojmë historinë dhe të mësojmë prej saj” tha më tej ai.