KLD mblidhet për procedim disiplinor për gjyqtarin Tabaku

Ministria e Drejtësisë ka kërkuar procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Durrësit Neritan Tabaku.Kërkesa e Ministrit të Drejtësisë, për procedim disiplinor ndaj gjyqtarit Tabaku do të shqyrtohet të premten nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.“Mbledhja e radhës e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, do të zhvillohet ditën e premte, datë 30.11.2012, ora 11:00, si dhe në rendin e ditës të kësaj mbledhje, do të përfshihet ndër të tjera, shqyrtimi i kërkesës së Ministrit të Drejtësisë, për procedim disiplinor të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Neritan Tabaku” thuhet në njoftimin e KLD-së.Neritan Tabaku, gjyqtari i cili kishtë në ngarkim çështjen e Ilir Xhakjas ka refuzuar më herët edhe paraqitjen në Prokurorinë e Tiranës.Gjyqtari i pezulluar dyshohet se ka vonuar qëllimisht zbardhjen e vendimit që liroi Ilir Xhakjan, vrasësin e Shefit të Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj.Ndërkohë, në mbledhjen e datës 5 tetor, Këshilli i Lartë i Drejtësisë i hoqi imunitetin dhe pezulloi nga detyra gjykatësin, Neritan Tabaku.Vendimi u mor me kërkesë të prokurorisë pasi kjo e fundit e ka regjistruar emrin e gjyqtarit në regjistrin e çështjeve penale për dyshimet se ai mund të ketë shpërdoruar detyrën.