Ngreni nje flamur ne gjysmeshtize!

Jane dite mjaft interesante keto te sotmet, sepse jemi thuajse te gjithe te mbarsur me nje sens historie, qe na shtyn shume shpesh te meditojme mbi te kaluaren tone, mbi mesimet qe kemi nxjerre, mbi ate cka kemi kaluar dhe mbi ate cka do te duhet te bejme ne te ardhmen. Pikerisht per kete arsye do te doja te filloja fjalen time me nje moment te rendesishem nga historiografia jone. Me momentin e gjetjes se flamurit qe do te ngrihej ne Vlore. Deri me tani, historiografia komuniste na mesonte se ishte nje grua, Marigoja, ajo qe qendisi flamurin. Ne kujtimet e Eqerem bej Vlores na jepet nje tregim krejt tjeter i se vertetes. Eshte flamuri qe Eqerem bej Vlora e merr nga njeri prej pasardhesve te Skenderbeut, Aldo Kastrioti, dhe qe Ismail Qemali, kur nuk po gjente me flamuj, se ne ate kohe flamujt kishin ikur prej shume kohesh nga shtepite e vlonjateve dhe nga nje pjese e madhe e shtepive te shqiptareve, merr flamurin qe Eqerem bej Vlora kishte dhe qe e mbante ne nje kornize siper kokes se krevatit te tij. E them kete ngjarje jo thjesht per te treguar nje moment historie, por per t'ju kujtuar se Eqerem bej Vlora ishte nje prej atyre bejlereve te Vlores, i qe pergatitur per te qene ai vete protagonisti i ngritjes se flamurit dhe i shpalljes se Pavaresise. Megjithate, kur e kuptoi se nuk mund te ishte ai, i dha Ismail beut simbolin e vetem qe kishte mbetur, ate te flamurit, mbi bazen e kopjes se te cilit me vone u bene kopjet e tjera te flamurit. C'lidhje ka kjo me momentin e sotem? Ka nje lidhje fort te thelle. Une besoj se, sikur flamuri apo nje simbol tjeter te kish qene ne doren e Edi Rames, do te ishte futur thelle neper sepete, sepse nese nuk do te ishte ai qe do te ngrinte flamurin, atehere historia do te ishte ndryshe. Nese dom Nikolle Kacorri do te kishte pasur mendjen tuaj, do te thoshte se flamuri duhet te ngrihet ne Veri dhe s'duhet te ishte askush tjeter pervec veriut qe duhet te mbante simbolin e kombit. Jane burra te medhenj, qe kane pasur mundesi te heqin dore nga egoizmi i tyre, nga cmira, nga momentet e tyre te forta te ndryshimit te karrieres, nga momentet e tyre te futjes ne histori, vetem e vetem per t'i dhene nje shans historise moderne te ketij kombi. Me se fundi, javen e kaluar u be nje akt i rendesishem. U sollen eshtrat e Mbretit Zog ne Shqiperi. Edhe ate ju, si gjithmone e bojkotuat. Ende ne mendjen tuaj Zogu eshte mizor, nderkohe per ne eshte reformatori i shtetit shqiptar. Mos harroni qe ka edhe nje moment te rendesishem ne historine e Mbretit Zog me Shqiperine. Eshte shtypja e kryengritjes se Fierit. Sot nuk do te kete asnje kryengritje te ndonje kandidati per kryetar te qarkut te Fierit qe do te mund te ndryshoje historine tuaj dhe t'ju sjelle ne pushtet. E kuptoj qe nuk mund te heqim dot paralele midis nesh dhe asaj qe ka bere Mbreti Zog, por reformatoret qendrojne nga njeri krahe dhe ata te cilet mundohen ta mbajne historine te mberthyer ne prapambetje jane nga krahu tjeter. Historia ka logjiken e saj, e cila shume here nuk perputhet me logjiken tone, por pas 100 vjetesh kur te lexohet kjo qe ka ndodhur sot ne parlament, une nuk di nese do te kete force te gjalle mbi dhe apo nen dhe qe do te mund te shpjegoje ate qe i keni bere shqiptareve ne kete 100 vjetor. Sigurisht, ju penguat projektin europian ne kete 100 vjetor. I vetmi qe do te mund ta rendiste Shqiperine ne nje radhe me kombet e tjera, do te mund ta radhiste ne radhen e kombeve te progreduar, ne radhen e nje zhvillimi ekonomik, te nje fuqizimi te institucioneve dhe, me se fundi, nuk do ta linte prapa kombeve mike apo armike qe na rrethojne shpesh. Zedhenesi i Komisionit Europian foli dhe tha: "Per sa kohe nuk miratohen te tria ligjet nuk jeni ende gati per ne Europe". Ne fakt, ne ende nuk jemi gati, sepse gjysma jone qe perfaqesoni ju, ende nuk e deshiron progresin nuk deshiron integrimin e Shqiperise, ende e ka lene progresin te varur te xhaketa e Vangjel Ndrekos, nje qarku, qe pas 100 vjetesh mund edhe te ekzistoje, por askush nuk do te kuptoje se per cfare behet fjale. Ju keni ftuar njerezit qe per 28 nentor te jene ne Vlore dhe te ngrene flamurin lart, sepse ai eshte momenti juaj simbol, ai eshte momenti juaj i krenarise kombetare. Shkoni zoterinj dhe shpjegojuani vlonjateve, shpjegojuani te gjithe shqiptareve se pse nuk i votuat tri ligjet e integrimit, se pse e privuat edhe nje here Shqiperine nga historia e saj e progresit, nga historia e saj e krenarise. Pastaj, kur te behet fjale per te ngritur flamurin, ngrijeni, por ngrijeni ne gjysme shtize!