Shpërndarja e mandateve, Gjiknuri takim me diplomatët e huaj
Partia Socialiste zhvilloi sot një takim informues me diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë për çështjen e shpërndarjes së mandateve.Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri i shoqëruar nga eksperti i kësaj fushe, Bledi Çuçi janë takuar sot paradite me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe përfaqësuesit e OSBE-së dhe Komisionit Europian, për t'i informuar ata lidhur me ecurinë e zbatimit të Kodit Zgjedhor të miratuar me konsensus mes palëve, por që duket se nuk po ecën në të njëjtën mënyrë edhe gjatë zbatimit praktik të tij."U shpjeguam përfaqësive diplomatike situatën e krijuar në lidhje me çështjen e ndarjes së mandateve. Dhamë argumentet tona, të gjithë analizën që kemi bërë dhe që është paraqitur edhe në KQZ, por në mënyrë më të përmbledhur për ta. Takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi, për të kuptuar cili është problemi dhe për të parë çdo të bëjmë më tutje", është shprehur deputeti socialist Gjiknuri pas takimit.Partia Socialiste ditët e fundit ka kundërshtuar idenë e ndarjes së mandateve sipas qarqeve në KQZ për arsye se Ministria e Brendshme nuk ka dhënë ende informacion në lidhje me shtimin e popullsisë në mënyrë jo normale në katër komuna të Kukësit.Më herët në një prononcim publik Sekretari Damian Gjiknuri tha se në Kodin Zgjedhor është parashikuar qartë dhe prerë se mandatet përcaktohen nga KQZ dhe nëse do të jetë Kolegji Zgjedhor institucioni që do bëjë ndarjen e mandateve për çdo qark, kjo do të ishte shumë e rëndë për besueshmërinë e procesit zgjedhor të 2013, pasi ligji nuk e autorizon Kolegjin për të gjykuar çështjen në themel për një gjë të tillë. Do të ishte më e udhës që Ministria e Brenshme të jepte informacionin e kërkuar dhe çështja të zgjidhej nga KQZ me konsensus.