PDIU: Paraburgosja e Limajt, fyerje për kombin shqiptar

PDIU ka reaguar sot për paraburgosjen e Fatmir Limajt dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së duke e konsideruar atë si një fyerje ndaj mbarë kombit shqiptar për faktin që ndodh pikërisht pak ditë para jubileut të pavarësisë.Në një deklaratë për shtyp, PDIU-ja thekson se  ky kalvar i mundimshëm i akuzave të pabazuara dhe proceseve të panumërta, përveçse i turpshëm po bëhet edhe qesharak dhe duket qartazi se është një përpjekje për të denigruar figurën e njërit prej drejtuesve emblematikë të UÇK-së."Ne e shohim këtë proces ndaj tij si një përpjekje të mirëmenduar për të eleminuar dallimin mes xhelatëve dhe viktimave dhe për të barazuar luftën e drejtë të shqiptarëve për liri e barazi me makinerinë kriminale e shoviniste të Milosheviçit.  Ne jemi të bindur që lufta e UÇK-së është një ndër arritjet më të mëdha të kombit tonë dhe komandanti Limaj, si qytetar nderi i qytetit të Vlorës, e meriton si pakush që të jetë në këtë qytet për të festuar këtë ditë të shenjtë të shqiptarëve" thuhet në deklaratën e PDIU-së.Ndërsa është shprehur e revoltuar nga rihapja e procesit të Kleçkës, PDIU-ja I bën thirrje faktorëve politikë dhe mbarë popullit shqiptar që të solidarizohen me komandantin Limaj dhe bashkëluftëtarët e tij dhe të protestojnë kundër këtij procesi të montuar.