Martesat gay, Ambasada PINK: Barazi në martesë për çdo qytetar shqiptar

Barazi në martesë për çdo qytetar shqiptar. Me këtë kërkesë u drejtohet autoriteteve shtetërore Ambasada PINK, pas debatit lidhur me legjitimitetin e martesave gay, nismë kjo e iniciaur nga Avokati i Popullit.“Ne duam t’i kujtojmë opinionit publik se Ambasada PINK ishte organizata e parë e shoqërisë civile në Shqipëri, që përpara tre vjetësh i kërkoi Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë që të merrnin në konsideratë miratimin e ndryshimeve në Kodin e Familjes, të cilat do të mundësonin eleminimin e një diskriminimi të hapur ligjor, atë të mos gëzimit në mënyrë të barabartë të të drejtës për t’u martuar dhe krijuar familje të të gjithë shtetasve që jetojnë në Shqipëri.Barazia në martesë, edhe pse në dukje nuk është kërkesa më emergjente e komunitetit LGBT në vend, është gjithsesi një ndër kërkesat kryesore në vend dhe në botë në emër të garantimit të të drejtave themelore të njeriut, ku përfshihet edhe ajo për të krijuar një familje dhe për të përmbushur gjithë të drejtat që rrjedhin prej saj pavarësisht orientimit seksual të një qytetari apo gjinisë së partnerit me të cilin/cilën ai/ajo dëshiron të lidhë jetën. Kjo e drejtë civile në asnjë aspekt të saj nuk cënon as të drejtat e individëve të tjerë dhe as të drejtën kanonike për të kurorëzuar martesa. Ajo i jep mundësi çdo anëtari të shoqërisë sonë të gëzojë të drejta të barabarta dhe pa diskriminim” thuhet në deklaratë.Sipas Ambasadës PINK,sot në Europë janë 10 shtete që zyrtarisht kanë pranuar të njohin barazinë në martesë edhe në gjini të njëjtë dhe mëse 13 shtete të tjera njohin bashkëjetesën ose forma të përafërta me martësën civile. Eksperienca në këto shtete ka treguar se martesa dhe krijimi i familjeve LGBT, përkundër paragjykimeve, thekson Ambasada PINK, ka forcuar shoqëritë duke i bërë ato më tolerante dhe më demokratike.“Ka një serë faktesh që hedhin poshte edhe mitet që shoqërojnë debatin publik në lidhje me martesën në gjini të njejtë. Shqipëria është një vend ku martesa civile, që prej krijimit të shtetit shqiptar, ka mbizotëruar në lidhjet martesore civile, krahasuar me ato kanonike ose të bazuara në fe. Nga ana tjetër, të dhënat nga Ministria e Drejtësisë dhe Census 2011, tregojnë se martesa heteroseksuale është duke përjetuar një krizë. Nga 20.282 persona të martuar në këtë vit rreth 7.280 persona janë divorcuar ose përafërsisht 36% e martesave. Studimet në vendet ku është lejuar martesa e barabartë për të gjithë, tregojnë se martesa si institucion civil ëshë forcuar dhe është bërë më e qendrueshme, sesa në vendet që nuk e kanë lejuar. Kushtetuta e Shqipërisë garanton barazinë e martesës për të gjithë qytetarët pa përjashtim, ndërkohë që kjo e drejtë në mënyrë të kundraligjshme nuk iu është garantuar personave LGBT në Kodin e Familjes. Nisur nga ky përjashtim ligjor, Ambasada PINK, në mbështetje të nismës së Avokatit të Popullit, do të dorëzojë pranë Kuvendit të Shqipërisë kërkesën e saj për ndryshime dhe përmirësimë në Kodin e Familjes së Republikës së Shqipërisë. Kjo kërkesë do të vendosë në provë mbi të gjitha deputetët e Kuvendit të Shipërisë dhe Qeverinë shqipare për të parë sesa i gatshëm është sistemi ynë parlamentar dhe i qeverisjes për të bërë realitet të drejta të barabarta për çdo qytetar shqiptar” përfundon deklarata.