Vizita në Izrael, PD-Ramës: Cili është roli i vëllait tuaj në ekzekutivin shqiptar?

Partia Demokratike i ka kërkuar sot kryeministrit, Edi Rama, të sqarojë për opinionin publik se cili është roli i vëllait të tij, Olsi Rama në ekzekutivin e vendit. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi, duke ju referuar vizitës së delegacionit me përfaqësues të biznesit shqiptar, ku bënin pjesë dhe zv/Kryeministri dhe Ministri i Bujqësisë, si dhe vëllai i Kryeministrit Rama në Izrael, i kërkoi Ramës të jetë transparent mbi rolin e vëllait të tij në këtë vizitë.“Një delegacion me përfaqësues të biznesit shqiptar, ku bënin pjesë dhe zv/Kryeministri dhe Ministri i Bujqësisë, si dhe vëllai i Kryeministrit Rama, ka vizituar së fundmi Izraelin.Duke i vlerësuar nismat që rrisin marrëdhëniet dhe shkëmbimin mes Izraelit dhe Shqipërisë, ne kemi disa pyetje për z.Rama. A është z. Olsi Rama, përfaqësues i ekzekutivit? A është vëllai juaj përfaqësues i biznesit, dhe nëse po, a ka lidhje aktiviteti i tij me qeverinë dhe zyrtarët e lartë të delegacionit? A është Olsi Rama i ftuar, turist, kureshtar i zakonshëm, apo cili është roli i tij në këtë vizitë? Mbetemi me shpresën se Kryeministri do të bëjë transparencë, ashtu siç ai ka premtuar” tha ajo.