Falsifikoi lejet e dy pallateve, Prokuroria kërkon “kokën” e Shpëtim Gjikës
Në kohën kur në Vlorë po përgatitej shpërthimi dhe shkatërrimi me lëndë eksplozive i një pallati 7 katësh,pasi ishte ndërtim pa leje, Prokuroria e Përgjithshme si për ironi ka çuar në gjykatë kreun e Bashkisë së këtij qyteti Shpëtim Gjika për fallsifikim të dokumetave dhe ndërtim të paligjshëm. Në një dalje jo të zakontë për organin e akuzës, Fjorida Ballauri, shefe kabinieti në Prokurori akuzon Shpëtim Gjikën dhe Eleni Dardhaj drejtore e planifikimit territorit në bashkinë Vlorë se kanë falsifikuar proçesverbalin e mbledhjes se KKRT-së së Vlorës,të paktën në dy raste.“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj 8 të pandehurve, ndër të cilët edhe për Kryetarin e Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, të gjithë të akuzuar për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “ndërtim të paligjshëm”. Pas një hetimi, të nisur në shkurt 2013, prokuroria e Vlorës arriti të provonte se i pandehuri Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim më të pandehurën Eleni Dardhaj, në cilësinë e punonjëses në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy proces verbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë, përkatësisht të datës 24.03.2010 dhe 15.07.2010. Këto dokumente, të prodhuara nga dy të pandehurit, kanë në përmbajtje të tyre rrethana të rreme. Dy lejet e ndërtimit që përmenden në këto dokumente sikur janë marrë në shqyrtim dhe janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë, në të vërtetë nuk janë shqyrtuar dhe nuk janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë.”- deklaroi Ballauri.Hetimi i nisur në shkurt të këtij viti vërteton se Gjika dhe Dardha kanë falsifikuar dokumetacionin sikur këto leje ishin dhënë nga KKRT-ja, por ne vërtetë ato nuk kanë kaluar asnjeherë në këtë institucion. Sipas Prokurorisë shkelja është e rëndë pasi një godinë 13 kate është ndërtuar në një lulishte dhe një tjetër 10 kate në territorin e portit zona ku nuk lejohet ndërtimi.“Në bazë të të dhënave të rreme, të prodhuara nga të pandehurit, është dhënë leje ndërtimi: - për kompleks banimi dhe shërbimi 13-kate me parkim nëntokë me pronarë të truallit të pandehurit Aleks Ahmetaj, Artan Ferrati, Mustafa Tartari, me subjekt ndërtues “Deco System” sh.p.k, me përfaqësues ligjor të pandehurin Blerdi Liçaj. Vendi për të cilin, sipas këtij dokumenti të rremë, është lejuar kryerja e ndërtimit të mësipërm, ndodhet në bulevardin qëndror Vlorë-Skelë, në afërsi të Teatrit “Petro Marko”, në vendin e quajtur “Tre Rasat”, Vlorë. Duhet theksuar se në këtë zonë nuk lejohet të ndërtohet. Po ashtu, në bazë të të dhënave të rreme, është dhënë leje ndërtimi: - për një godinë banimi dhe shërbimi 2-6 kate+papagingo, me një kat nëntokë, në lagjen Pavarësia, me pronar trualli të pandehurin Gëzim Feta e subjekt ndërtues EN-BJO sh.p.k, me përfaqësues ligjor të pandehurin Gentian Sherifaj. Vendi për të cilin, sipas këtij dokumenti të rremë, është lejuar kryerja e ndërtimit të mësipërm ndodhet në lagjen “Pavarësia”, brenda territorit të Portit Detar Vlorë. Duhet theksuar se në këtë zonë nuk lejohet të ndërtohet.”- thuhet në deklaratën e Prokurorisë.Ndërsa kryetari i bashkisë Vlorë, Gjika ka reaguar nëpërmjet telefonit, duke u shprehur i shokuar nga hetimi i akuzës, por sqaroi se më përpara do të njihet me dosjen dhe më pas do ndjekë hapat ligjorë.“Jam i shokuar nga deklarata e prokurorisë. Deklarata u bë në një ditë të dielë, kur prokuroria është pushim.Do të marr kohën e mjaftueshme për të reaguar” është shprehur Gjika.