Zgjedhjet bashkiake në Korçë, Basha: Kandidati i PD-së më i aftë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i shoqëruar nga deputetët Ridvan Bode dhe Edmond Spaho kanë zhvilluar sot një takim elektoral me qytetarët e Korçës, në mbështetje të kandidatit për kryetar Bashkie, Sotiraq Stratobërdha, zgjedhje të cilat do të zhvillohen më 3 nëntor.Nga Korça, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka theksuar se: “Korça paralajmëron të ardhmen e qytetarisë shqiptare, dhe se kandidati që ne kemi zgjedhur është shprehja e qytetarisë”.Më tej, Basha ka nënvizuar se: “Programi i kandidatit Stratobërdha është realist, dhe se në qendër të interesit të tij janë qytetarët, jam i bindur se qytetarët e Korçës do të gjykojnë me mendje të hapur, pasi kandidati jonë është më i pjekur, më i aftë dhe më transparent, ndryshe nga kandidati tjetër edhe pse është më i ri, mendimet i ka të vjetra”.Nga ana e tij, kandidati Stratobërdha është shprehur se: “Hyra në këtë garë, për ti bërë gjërat më mirë ku të gjithë qytetarët do trajtohen njësoj, sepse Bashkia nuk është pronë e një grushti njerëzish apo pronë e një individi dhe se institucioni i Bashkisë do të funksionojë në bazë të parimit të transparencës”.Kandidati i PD, Sotiraq Stratobërdha do të garojë më 3 nëntor për kryetar të Bashkisë së Korçës përballë kandidatit socialistë Sotiraq Filo.