Vrasja për “domino”, gjykata e Shkodrës “arrest me burg” për Miri Markgjonin
Gjykata e Shkodrës ka dhënë sot masën e sigurisë arrest me burg për 32 vjeçarin Miri Markgjoni, i akuzuar për vrasjen e 67-vjeçarit, Zef Ejlli. Ngjarja u regjistrua tre ditë më parë në Komunën Gur i Zi, ku shtetasi Zef Ejlli u qëllua nga një breshëri automatiku të shkrehur nga Miri Markgjoni, 32 vjec. Menjëherë pas vrasjes, Gjoni është larguar nga vendi i ngjarjes për tu arrestuar pak minuta më pas nga policia.Sipas hetimeve të policisë viktima ka luajtur domino së bashku me shtetasin Markgjonin. Gjatë lojës të dy personat janë grindur shpesh. Markgjoni pasi është konfliktuar me 67-vjeçarin gjatë lojës së dominosë, është larguar në shtëpi duke marrë armën tip automatik dhe i ka zënë pritë të moshuarit.Më pas, ndërsa dhe Zef Ejlli kthehej në banesë, 32-vjeçari ka qëlluar ndaj tij. Të shtënat me automatik janë dëgjuar nga banorët e zonës, të cilët i kanë ardhur në ndihmë të menjëhershme 67-vjecarit duke e transportuar në spital. Pavarësisht ndihmës së parë, Zef Ejlli humbi jetën në duart e mjekëve.