Ministri Tahiri në Vlorë, merren masa për shembjen e godinës 7 katëshe

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, do të jetë ditën e nesërme në Vlorë për të inspektuar nga afër shpërthimin për shembjen e një godine shtatë katëshe, në qytetin bregdetar.Shembja e kësaj godine do të bëhet me qëllim hapjen e terrenit për ndërtimin e një shëtitoreje.Në këtë kuadër, Ministria e Brendshme ka bërë publike dhe rrugët ku nuk do të qarkullohet nesër në qytetin e Vlorës, nga ora 07:00 deri në orën 16:00.“Ministria e Punëve të Brendshme informon opinionin publik e në mënyrë të veçantë banorët e qytetit të Vlorës se duke filluar prej orës 07:00 e deri në orën 16.00 të datës 27 Tetor 2013, do të ketë regjim të kufizuar të qarkullimit të mjeteve dhe këmbësorëve në rrugën “Çamëria” në qytetin e Vlorës dhe rrugët dytësore të lidhura me të”, thuhet në njoftimin e ministrisë.Burimet zyrtare thanë se, “gjatë kohës së përcaktuar, në këtë zonë nuk do të lejohet qëndrimi apo lëvizja e mjeteve dhe këmbësorëve. Lokalet përreth zonës do të jenë të mbyllura”.“Policia e Shtetit këshillon pronarët dhe administratorët e tyre që të mbajnë dritaret e lokaleve të hapura. Policia e Shtetit rezervon të drejtën të bllokojë plotësisht qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve në segmentin Skelë - Uji i Ftohtë”, përfundon edhe njoftimi nga Ministria e Brendshme në lidhje me shembjen që do të bëhet nesër në Vlorë.