Strazimiri: Rama premtime boshe e shkarkime masive në errësirë
Partia Demokratike ka reaguar lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama në ditën e “Të rënëve të Policisë së Shtetit”. Në një deklaratë për mediat deputeti demokrat, Gent Strazimiri, i cilësoi gënjeshtra premtimet e Kryeministrit dhe Ministrit Tahiri ndaj familjarëve te te reneve, pasi sipas tij mbështetja ndaj tyre ka qenë prioritet ndër vite. Ajo që sipas tij Rama duhet të garantonte, do të ishte trajtimi i barabartë i martirëve dhe jo duke i ndarë në “të vrarë në kohën e Berishës dhe të vrarë në kohën tonë”.“Sot, në ditën e “Të rënëve të Policisë së Shtetit”, Rama dhe ministri i tij gënjyen paturpësisht duke “u premtuar” familjarëve të martirëve se do të bëjnë për ta ca gjëra të mira që në fakt janë bërë prej vitesh:si punësim për familjarët, shkollim për fëmijët, kredi të buta për strehim etj, e që Rama dhe qeveria e tij ka detyrimin t’i respektojë. Tallazet dhe furtunat e jetës nuk parashikohen dot me ligj, dhe kësisoj përmirësimi i kuadrit ligjor dhe ndihmës ndaj tyre nuk do të njohë kurrë kufij, e vetmja gjë që zoti Rama duhet t’u kishte premtuar sot, do të duhej të ishte respektimi i ligjeve në fuqi të paktën për ta, dhe trajtimin e barabartë të martirëve, domethënë jo ndarjen e tyre si deri në vitin 2005 në “të vrarë në kohën e Berishës dhe të vrarë në kohën tonë”.Kjo ka ndodhur sot! Ditën për diell!” tha ai.Ndërkaq deputeti demokrat ka denoncuar pushimin e 70 zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme brenda natës së të premtes, duke shkelur ligjin dhe nëpërkëmbur dinjitetin njerëzor të nëpunësve. Partia Demokratike kërkon ndërprerjen e menjëhershme të trajtimit të nëpunësve të administratës si “kolaboracioniste” dhe shkarkimin e tyre me lista të zeza të përpiluara në zyrat e Partisë Socialiste.Mbrëmë në orët e vona, në errësirë dhe me një gjakftohtësi kriminale, Ministri i Brendshëm ka vazhduar operacionin e koduar “fund administratës publike”, duke shkelur ligjin, duke nëpërkëmbur dinjitetin njerëzor të nëpunësve, mu në zyrat e shtetit. Mbrëmë vonë, 70 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë thirrur, për të marrë fermanin e zi të shkarkimit nga puna, pa paraqitur asnjë motiv. Janë thirrur dhe shkarkuar natën, pa asnjë shpjegim. Me një operacion okult, ne stilin e opingës së “Partizanit Meke”, janë dënuar kolektivisht një pjesë e mirë e drejtorëve dhe specialistëve të Ministrisë së Brendshme. Janë urdhëruar të paraqiten e të qëndrojnë në zyrat e tyre, e më pas thirrur një nga një, e nën presion u është kërkuar të firmosin pranimin për largim nga puna. Administrata Publike, as nuk është plaçke lufte, e as stalla e kooperativës ku xhahilët vendosnin për “therje te detyruar” të gjësë së gjallë për t’i shtruar gostinë të deleguarit të Partisë. Partia Demokratike dënon fuqishëm këto akte brutale të shkeljes së ligjit dhe dinjitetit human të nëpunësve të shtetit dhe qytetarëve të vendit, dhe kërkon ndërprerjen e menjëhershme të trajtimit të nëpunësve të administratës si “kolaboracioniste” dhe shkarkimin e tyre me lista të zeza të përpiluara në zyrat e Partisë Socialiste” përfundoi Strazimiri.