Akuzohet për korrupsion, gjykata 1 vit burg për ish-prokurorin Aleksandër Plepi
Pas një procesi që ka zgjatur për më shumë se tre vjet,gjykata e Durrësit shpall fajtor 5 nga 6 të akuzuarit për korrupsion aktiv, vepër kjo që dyshohet se është konsumuar në fillim të vitit 2009.
Togat e zeza në seancën e sotme gjyqësore kanë dënuar me 1 vit burg me kusht ish-prokurorin Aleksandër Plepi, ndërsa bashkëshortja e tij, gjyqtarja Marsela Balili shpallet e pafajshme.
Ndërkaq me 2 vjet burg janë dënuar Violanda dhe Besnik Braka, ndërsa me 1 vit e 2 muaj Arben Veliko dhe Panajot Dhiamandi.
Ish-prokurori Aleksandër Plepi akuzohet nga prokuroria e Durrësit për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj bashkëshortes së tij, e cila kishte në gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda të pandehurin Besnik Braka, akuzuar për trafik municionesh.
Ndërkohë të pandehurit Panajot Dhiamandi, Arben Veliko, Violanda Braka dhe Besnik Braka, sipas akuzës, i kanë kërkuar prokurorit Aleksandër Plepi të ndërhyjë të bashkëshortja e tij për t’i dhënë një masë të butë dënimi pandehurit Besnik Braka, i cili është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafik municionesh dhe shpërndarje narkotikësh.
Për ish-prokurorin, përfaqësuesi i akuzës pati kërkuar dënimin me 2 vjet burg, ndërsa për bashkëshorten e tij u kërkua vit heqje lirie për akuzën e korrupsionit pasiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë.
Prokuroria gjithashtu kishte kerkuar dënimin me nga 2 vjet e gjysmë burg për të pandehurit Panajot Dhiamandi dhe Arben Veliko, të cilët sipas akuzës kanë kryer veprime të kundraligjshme të drejtpërdrejta, duke propozuar dhe premtuar dhënien e drejtpërdrejtë të përfitimeve të parregullta në shumën 15 mijë euro, të pandehurit Aleksandër Plepi.