Meta, Danielsson: Rekomandimet e KE, prioritet i punës së institucioneve shqiptare
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian z. Christian Danielsson, shoqëruar nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi.Kryetari i Kuvendit Meta i shprehu z. Danielsson vlerësimin për progres raportin e fundit të Komisionit Evropian, dhe theksoi se rekomandimet e Komisionit do të jenë prioritete të punës së institucioneve shqiptare.Në këtë drejtim, z. Meta u shpreh se puna e Kuvendit të Shqipërisë do të fokusohet në rritjen e transparencës së aktivitetit dhe forcimit të rolit mbikqyrës të institucionit.“Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rritjes së cilësisë së procesit legjislativ përmes gjithëpërfshirjes, dialogut politik mes partive politike, duke punuar ngushtë njëkohësisht edhe me institucionet e tjera të pavarura, me shoqërinë civile dhe me grupet e ndryshme të interesit” – nënvizoi Meta.Danielsson, shprehu vlerësimin për progresin e bërë nga Shqipëria në drejtim të përmbushjes së prioriteteve të Komisionit Evropian dhe vuri theksin në vazhdimësinë e punës për implementimin e rekomandimeve, përmes dialogut konstruktiv politik dhe bashkëpunimit me të gjitha institucionet e pavarura, në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE.