Rimbursimi i TVSH, 8 tatimorë në Prokurori për vjedhjen e 515 mln lekë

Pezullohen nga detyra dhe kallzohen për ndjekje penale në Prokurorinë e Tiranes 8 ish-drejtues dhe inspektorë tatimorë në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë.Me kërkesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Dretjoria e Auditit të Brendshëm në Ministrinë e Financave ka audituar procedurat e rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë për periudhën Qershor – Tetor 2013.Vetëm gjatë ditës së parë janë konstatuar shkelje të rënda në fushën e zbatimit të legjislacionit tatimor për procedurat e rimbursimit të TVSH-së, në 11 raste me pasojë vjedhjen e pasurisë shtetërore në shuma të mëdha, në të cilën janë përfshirë disa persona punonjës të administratës tatimore rajonale të Tiranes.Faktet dhe elementët e zbuluar plotësojnë elementët e veprës penale “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, vepër kjo e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga neni 135 si dhe nenet 25 dhe 26 të Kodit Penal. Shuma e vjedhjes së shkaktuar është 515 455 275 lekë dhe në të janë përfshirë ish Drejtori Rajonal Tatimor i Tiranës, ish Drejtoresha e Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, dy ish përgjegjës të Sektorit të Kontrollit Tatimor në këtë Drejtori si dhe tre inspektorë kontrolli. Për të gjithë këta është kryer pezullimi nga detyra. Gjithashtu në këtë vepër janë bashkëveprues dy persona përfaqësues ligjorë të 11 kompanive private të cilat pas përfitimit të rimbursimeve kanë kryer procedurat e çregjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.Për të gjithë personat e sipërpërmendur është bërë kallzim penal në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, ndërkaq që procesi i auditimit në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Tiranës po vazhdon.