Opozita "teston" Ramën për Didin, Alibeaj: S’di ku do ti gjejë argumentat ligjorë
Që prej ditës që u mandatua si Kryeministër, Edi Ramës do ti duhet të kalojë testin e parë përballë opozitës në seancën parlamentare të së enjetes. Për ish-deputetin demokrat Enkelejd Alibeaj, Rama do të ketë një provë të vështirë përpara, pasi sipas tij e ka të pamundur të gjejë argumentat ligjorë që të mund të justifikojë emërimin në kundërshtim të plotë me ligjin, të kreut të policisë së shtetit Artan Didi."Të jesh i mbështetur në arsye dhe morale do të thotë të eksplorosh më së pari rrugët politike, pra parlamentare dhe më pas ato institucionale. Thirrja në interpelancë e Kryeministrit për të dhënë shpjegime, unë nuk e di ku do ti gjejë argumentat ligjorë, për emërimin në një post kaq të lartë,drejtues të gjithë armatës së policies, në shkelje flagrante me ligjin, tregon zellin sesi një opozitë duhet të sillet. Duke marrë rastin e drejtuesit më të lartë të policisë emërtesë e Kryeministrit në shkelje flagrante me ligjin tregon fytyrën e vërtetë sesi kjo qeveri po bën shtet. Një opozitë ka për detyrë të testojë sistemin. Të gjithë themi se sitemi i gjyqësorit, ai i drejtësisë nuk funksionojnë por po nuk i testove nuk mund të gjykosh. Në kushtet kur opozita në parlament i ka të pakta mundësitë të frenojë teknikisht nismat ligjore që shkelin edhe limitet kushtetuese, garancitë e vetme do jenë sistemi i institucioneve të tjera të pavarura që duhet ta bëjnë detyrën e tyre pa u ndikuar politikisht" tha ai.Duke e parë panoramën politike në më tepër se një muaj mes forcave politike, Alibeaj thekson se kemi një opozitë konstruktive dhe utilitare ndaj nevojave të shtetit dhe një mazhorancë që nuk merr përgjegjësitë dhe sillet si një plangprishës e kësaj varke të madhe në të cilën ndodhemi të gjithë. Në të gjithë vendimarrjet dhe nismat e ndërmarra të qeverisë, Alibeaj sheh anashkalim të standardeve kushtetuese dhe politike."Një muaj e pak ditë është kohë e mjaftueshme për të kuptuar se cilat janë pozicionet të palëve politike në përballjen mes tyre. Qëndrimi i opozitës për shkak dhe të raportit të numrave ka një lloj veçantie krahasuar me opozitën e mëparshme. Bazuar në arsyen e sjelljes së saj politike, dhe pozicionimin e saj politik. Një opozitë pa pushtet parlamentar nuk ka mundësinë për të bllokuar reformat ligjore edhe kur këto janë të gabuara. Është një opozitë e detyruar për të qenë konstruktive, e detyruar të llogarisë mirë cfarëdo pozicionimi për cdo vendim të marrë nga mazhoranca. Gjatë këtij muaji të gjitha vendimet e opozitës janë të bazuara në këto dy elementë. Duke filluar nga akti normativ për ligjin e statusit të nëpunësit civil. Edhe për cështjet e revanshit policor apo terrorit policor që po mbillet nga kjo mazhorancë. Edhe me ekspozimet butaforike , të shembjeve apo të sulmeve që u bëhet bizneseve të ligjshme dhe të paligjshme. Askush nuk thotë që cfarë është hapësirë e paligjshme të mos goditet. Por disproporcioni mes mjeteve të përdorura dhe qëllimit që do të arrish tregon pikërisht këtë lloj tigulli të hidhur.Mazhoranca po mbjell një lloj ndjenje terrori dhe frike duke e kthyer këtë republikë në një republikë policore. Mazhoranca erdhi me tamtame të mëdha. Në vend që të tregohej e përulur, ti gëzohej ndoshta dhe në fshehtësi marrjes së pushtetit, nuk do ishte e këshillueshme në këtë rast krijimi i fasadave fallco. Unë nuk kam pasur dyshim që edhe me atë ligj revanshi i mazhorancës nuk do kishte të tilla dimensione, sidoqoftë duhej ti përmbaheshin konsensusit. I gjithë terrori për të luftuar biznesin e paligjshëm, në një kohë që ka një qeveri, kontrollet mund të bëheshin nga zyrat, është një shtet ligjesh, shtet me dokumenta. Ajo që po shohim është një psikozë shumë e rrezikshme pasi nuk janë të sinqertë me veten, as me qytetarët dhe as ndërkombëtarët. Nuk ka arsye se pse mazhoranca të nxijë realitetin që mund të mos jetë i përkryer por është mbajtur fort nga goditjet e krizës, dhe këtu flas për ekonominë. Kjo lloj psikologjie që shkon më shumë tek forma dhe jo përbajtja nuk është premtuese. Vendi ka nevojë gjithmonë për reforma, por duke anashkaluar realitetin kjo bëhet e rrezikshme. Kemi një opozitë konstruktive dhe utilitare ndaj nevojave të shtetit dhe një mazhorancë që e para nuk merr përgjegjësitë dhe së dyti sillet si një plangprishëse e kësaj varke të madhe në të cilën ndodhemi të gjithë" theksoi Alibeaj.Duke ju referuar edhe aktit normativ për rishikimin e buxhetit, Alibeaj deklaroi se qeveria Rama po shton gropën financiare për të bërë qoka të premtimeve të nëpunësisë para 23 qershorit."Ka anashkalim të standardeve kushtetuese dhe politike të krijuara me ligjin e statusit të nënpunësit civil, ka anashkalim të mënyrës sesi po emërohen drejtuesit më të lartë në Ministrinë e rendit, por edhe dikastere të tjera. Duhet të respektohej një lloj cipe publike dhe ligjore. E njëjta gjë po ndodh dhe me aktin normativ për buxhetin, nuk kuptoj se për cfarë arsye përkundër gjithë premtimeve elektorale të kësaj mazhorance që luftoi lëvizjen e marrjes së huave përmes borxhit, sot pa ju trembur syri e shton gropën financiare të këtij vendi për të bërë qoka të premtimeve të tyre të nëpunësisë para 23 qershorit" tha më tej ai.Duke e konsideruar sistemin e institucioneve të pavarura , si një nga garancitë e opozitës, Alibeaj ka pritshmëri të mëdha për një përgjigje pozitive ndaj padisë për emërimet në polici. Megjithatë nuk nguron të evidentojë faktin se e kundërta do të ishte një fatkeqësi e madhe për vendin."Ka ndodhur rëndom, mund të ndodh prapë, por s'duhet të jemi peng i së shkuarës. Madje duke parë revanshin e kësaj mazhorance në luftën ndaj institucioneve të pararura, testime të vogla kanë ndodhur në rastin e Presidentit, apo edhe ILDKP, futja e fitilave për të marrë zjarr nga brenda është një strategji e padobishme dhe dëmshme për të mirën e përgjithshme. Nëse ndodh që këto institucione të bëhen pre e negociatave politike, ose nuk do kishin shpatulla për të mbajtur përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore do të ishte fatkeqësi e madhe. Uroj të mos ndodhë, besoj që nuk ndodh. Madje dhe brenda mazhorancës mund të gjenden forca progresiste që s'do bien pre e këtij revanshizmi irracional që ka kapluar këtë mazhorancë deri më tani, do të shohim si do evulojnë gjërat" përfundoi ish-Ministri i Drejtësisë.