Sherr për dominonë, ekzekutohet me automatik 67-vjeçari, në pranga autori
Një 67-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Shkodër. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 në Komunën Gur i Zi, ku shtetasi Zef Ejlli u qëllua nga një breshëri automatiku të shkrehur nga Miri Gjoni, 32 vjec. Menjëherë pas vrasjes, Gjoni është larguar nga vendi i ngjarjes për tu arrestuar pak minuta më pas nga policia.
Nga hetimet paraprake të policisë mësohet se viktima ka luajtur domino së bashku me shtetasin Miri Mark Gjonin. Gjatë lojës të dy personat, Zef Ejlli dhe Miri Mark Gjoni janë grindur shpesh. Miri Gjoni pasi është konfliktuar me 67-vjeçarin gjatë lojës së dominosë, është larguar në shtëpi duke marrë armën tip automatik dhe i ka zënë pritë të moshuarit.

Më pas, ndërsa dhe Zef Ejlli kthehej në banesë, 32-vjecari ka qëlluar ndaj tij. Mësohet se të shtënat me automatik janë dëgjuar nga banorët e zonës, të cilët i kanë ardhur në ndihmë të menjëhershme 67-vjecarit duke e transportuar në spital. Pavarësisht ndihmës së parë, Zef Ejlli humbi jetën në duart e mjekëve.
Autori i vrasjes, Miri Gjoni, është dërguar në ambientet e policisë, aty ku pritet dhe deponimi i tij, për të sqaruar të tjera detaje të kësaj ngjarje të rëndë.