Voto Erdoganin!
Më parë se për Ramadan Mujën, Eqrem Kryeziun a ndonjë tjetër, turqit në zgjedhjet e 3 nëntorit do të votojnë për Rexhep Taip Erdoganin. Ai mund të vendosë se kush do ta fitojë Prizrenin. Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan mund t’ia bëjë një argat të madh “vëllait” të vet kosovar, Hashim Thaçit, kur të mërkurën të zbarkojë në Prizren, në një vizitë e cila po realizohet gjatë një fushate elektorale, me ç’rast edhe do të përurohet terminali i ri i Aeroportit të Prishtinës. Ai do t’iu drejtohet bashkëkombësve të tij turq, përfaqësuesit politikë të të cilëve kanë arritur një marrëveshje me Hashim Thaçin për ta mbështetur kandidatin e kësaj partie në Prizren. Por, përderisa janë përfolur plasaritje në mesin e turqve, një pjesë e të cilëve kanë dashur ta kenë kandidatin e vet për kryetar të komunës në të cilën jetojnë me shumicë, duket se vizita e “vëllait të madh” Erdogan do të mund ta qetësojë situatën. Është vështirë të besohet se vizita e Erdoganit në Kosovë bëhet rastësisht në kohë fushate, siç është vështirë të besohet, po ashtu, se ai nuk do të përpiqet, mbase jo në mënyrë të hapur, ta ndihmojë Thaçin në fushatë. Dikujt mund t’i duket qesharake që një kryeministër i një shteti të madh, si Turqia, të mund të interferojë në zgjedhjet e një shteti të vogël si Kosova. Por, po të merren parasysh interesat e Turqisë në Kosovë, sjelljet dhe veprimet e tilla tingëllojnë normale. Që nga koha kur Hashim Thaçi është kryeministër i Kosovës, Turqia ka arritur që të bëhet pronare e disa aseteve të rëndësishme publike të Kosovës. Pas Aeroportit, i cili iu dha turqve për 20 vjetët e ardhshëm, edhe Distribucioni i KEK-ut iu dha po “vëllezërve” turq, madje për një shumë të papërfillshme prej 26 milionë eurosh. Ndërkohë që autostrada kosovare po ndërtohet, po ashtu, nga një konsorcium turko-amerikan. Nuk është hera e parë që Erdogan gjen kohë të vijë në Kosovë për ta takuar dhe për ta lajkatuar Thaçin, ashtu siç nuk është hera e parë që edhe ministra turq duken këndejpari me kërkesa të prera, siç ishte ajo për ndryshimin e historisë së kohës së Perandorisë Osmane. Dhe, po ashtu, nuk është hera e parë që qeveritarët kosovarë pranojnë gjithë çfarë iu vjen nga Turqia, pa e menduar dy herë dhe pa e çarë hiç kokën nëse ato kërkesa janë në dëm të kosovarëve. Me një qasje aspak të barabartë, paternaliste, madje edhe hegjemoniste, shteti turk vazhdon të sillet me Kosovën si një baba autoritativ ndaj një fëmije qaraman. Erdogan vendos se si do të duket një pjesë e historisë në librat shkollorë ashtu siç, besoni a jo, ai mund të vendosë edhe për xhaminë që pritet të ndërtohet në Prishtinë. Natyrisht, për gjithçka e ka mbështetjen e Thaçit, por dyshoj që Ankarasë do t’i kishin rezistuar as liderët tjerë po të ishin në vend të tij. Nuk ka faj Erdogani në këtë rast, por fajtorë janë vetë politikanët kosovarë, shumica e të cilëve e kanë për nder të funksionojnë nën urdhrat e tjetërkujt, aq më shumë të Turqisë.* * *Kur Rexhep Taip Erdogan të zbresë të mërkurën në Prizren, më i lumturi ndër të gjithë do të jetë Hashim Thaçi. PDK nuk i ka punët mirë në “Jerusalemin” e saj, që rrezikon fort t’i rrëshqasë nga dora. Thaçi i ka shpeshtuar vizitat atje, derë më derë e lagje më lagje, në përpjekje për ta rimarrë edhe njëherë pushtetin me Ramadan Mujën e dyshuar për korrupsion. Por, ndihma e madhe duket t’i vijë këto ditë. Nuk ka njeri dhe vend më të përshtatshëm për të sesa Erdogani në Prizren dhe nuk ka kohë më të përshtatshme për vizitën e tij sesa tash, në kohë zgjedhjesh. Do të ishte e papranueshme që Erdogan, si një burrështetas, të jepte mesazhe eksplicite mbështetëse për opsionin politik të Thaçit, por lëvdatat për Thaçin nuk pritet të mungojnë. Aq më pak tash kur Thaçi i është kthyer atij në një partner të përshtatshëm për realizimin e qëllimeve të veta dhe të shtetit që udhëheq. Turqit kosovarë janë shumë të lidhur me shtetin amë dhe, në këtë kontekst, mesazhet e Erdoganit janë shumë të rëndësishme për ta. Kështu, Thaçi mund të shpresojë që ato mesazhe të konvertohen në vota për kandidatin e partisë së tij. Natyrisht, si shpërblim, ndonjë kërkesë “e vockël” e Turqisë mund të përmbushet në çast. Sepse, Erdoganit nuk bën dhe nuk guxohet t’i thuhet jo. Më parë se për Ramadan Mujën, Eqrem Kryeziun a ndonjë tjetër, turqit në zgjedhjet e 3 nëntorit do të votojnë për Rexhep Taip Erdoganin. Ai mund të vendosë se kush do ta fitojë Prizrenin.Burimi : mapo.al