Nëpunësi Civil, pasiguri e pështjellim edhe për administratën në bazë

Ligji për “Nëpunësin Civil” po përjetohet keq, jo vetëm në qendër, por edhe në nivelet bazë të administratës. E gjithë kjo që po ndodh, ka provokuar një lloj pasigurie dhe shpërqendrimi masiv që, në fund fare, konvertohet me ulje të ritmit të institucioneve dhe rënie të shërbimeve ndaj qytetarëve.Pa analizuar të kaluarën, me të mirat dhe të këqijat për mënyrën se si është vepruar me rekrutimin e administratës shqiptare, sot është realitet se nëpër institucione kontribuojnë specialistë kompetentë, të cilët kanë mundur të arsimohen në universitetet më të mira brenda dhe jashtë vendit. Njëkohësisht ata zotërojnë edhe eksperiencën e nevojshme e janë profesionistë të vërtetë për t’u përballur me sfidat e integrimit europian.U desh shumë përpjekje për të arritur konsensusin politik deri në 30 maj të këtij viti, datë kur u miratua në parlament ligji mbi “Nëpunësin Civil”. Sipas specialistëve ky ishte një ndër ligjet më të mira, që e afron administratën tonë me standardet e BE-së. Miratimi në parlament i ligjit me shumicë absolute votash, pavarësisht bindjeve, u dha garanci punonjësve të administratës që të mos ishin më pre e emërimeve dhe shkarkimeve politike. Për të gjithë ne, dhe në interes të qytetarëve, filloi një erë e re.Fatkeqësisht, sot jemi sërish në një situatë krejt të padëshiruar. Ndërsa pritej që më 1 tetor ai të hynte në fuqi zyrtarisht, tashmë me vendim qeverie u shty për 6 muaj me argumentin se nuk ishte i plotë dhe se nevojiteshin aktet nënligjore.Nëse vërtet kjo që u vendos do të ishte e pastër dhe pa prapaskena politike, atëherë, së pari, duhej paralajmëruar me kohë që do të kryheshin ndryshime, dhe, së dyti, këto ndryshime apo akte nënligjore mund të kryhen edhe gjatë qeverisjes duke e lënë administratën që të punojë e qetë. Fundja, rregullimin e këtyre akteve e përcakton vetë ligji.Ne nuk duam të besojmë se kjo përpjekje bëhet qëllimisht për të spastruar administratën dhe për zëvendësuar profesionistët me militantë partiakë. Kjo nuk i vlen askujt. Qytetarëve dhe vendit jo e jo, por edhe vetë forcave politike. Personalisht jam për aplikimin e kritereve profesionale, shkallës së kualifikimit dhe meritokracisë në rekrutimin e administratës publike.Në Elbasan ekziston një eksperiencë pozitive në këtë drejtim. Një model qeverisjeje që duket se deri më tani ka qëndruar përtej ndikimeve partiake. Pra, një traditë institucionale para se të miratohej Kodi i Nëpunësit Civil. Natyrisht, edhe këtu ka pasur raste për t’u diskutuar. Janë bërë edhe gabime. Por asnjëherë pushime në masë, apo zëvendësime absurde të militantizmit me profesionalizmin.Një eksperiencë e tillë ka ekzistuar e vazhdon të ekzistojë në Këshillin e Qarkut. Në këtë institucion ka nëpunës e specialistë që gjatë këtyre viteve kanë dëshmuar se janë mjaft të nevojshëm për komunitetin. Madje, janë vetë njësitë vendore dhe banorët e qarkut që nuk do të mirëprisnin largimin e tyre nga puna sepse, në sajë të aftësive të tyre, ata kanë kuptuar përfitimet direkte.Kështu, tashmë janë të prekshme Strategjia për Zhvillimin Rajonal të Elbasanit, Strategjia  e Plan-Veprimit për Fëmijët 2013-2016, studimet për arsimin dhe formimin profesional, për çështjet sociale në shkallë qarku, studimet për planet urbanistike të qyteteve dhe komunave. Aplikimin e projekteve në infrastrukturë, në pyje, në mjedis, në konkretizimin e objektivave të mijëvjeçarit, planit të veprimit në turizëm, të bashkëpunimit ndërkufitar etj. Përveçse është vrasëse për ata e familjet e tyre një largim i mundshëm nga puna, ndërkohë është mjaft e vështirë të gjenden profesionistë për t’i zëvendësuar.E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Prefekturën e Elbasanit dhe Bashkinë e këtij qyteti, institucione të cilat profesionistët e vërtetë nuk i kanë ndërruar me militantizmin. Në Bashkinë e qeverisur nga socialistët punojnë e madje shprehin hapur bindjet e tyre të djathta mjaft nëpunës, po kështu edhe në Prefekturën e drejtuar deri më tani nga demokratët kanë punuar të qetë mjaft socialistë.Një nga premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale nga mazhoranca aktuale në Elbasan ishte edhe punësimi. Kjo është krejt normale për një program partie. Por kthehet në anormalitet kur nuk zbatohet ligji në këtë rast. Sipas informacioneve të marra, vetëm gjatë fushatës u premtua punësim në administratë dhe u depozituan mbi 1000 CV për mbështetësit e majtë. Pa paragjykuar, mes tyre mund të ketë edhe njerëz të zotë. Por merret me mend se jo të gjithë janë të aftë.Ndaj është mjaft e rëndësishme që të hyjë menjëherë në fuqi e të aplikohet Kodi i Nëpunësit Civil me synim krijimin e një shërbimi të qëndrueshëm, profesional dhe efecient. Pranimi të kryhet në bazën e konkurrimit të hapur të bazuar në merita, të pavarësisë dhe integritetit, të paanësisë politike, të transparencës, të shërbimit ndaj publikut, të vazhdimësisë së karrierës, të përgjegjësisë dhe korrektësisë në zbatimin e legjislacionit në fuqi. Kjo na afron me familjen europiane ku synojmë.Burimi : mapo.al