Gjergj Filipi kreu i ri i INSTAT, PD: Rama po vë nën thundrën e tij statistikat

Partia Demokratike e ka cilësuar si të paligjshëm shkarkimin nga detyra të drejtoreshës së INSTAT Ines Nurja.Në një konferencë për mediat, deputeti demokrat Florion Mima theksoi se po vërtetohen paralajmërimet e PD-së për emërime politike në administratë.“Sot, kryeministri i ri i vendit, ka shkarkuar, në thyerje totale të bazës ligjore, pa asnjë argument dhe tërësisht jashtë të gjitha procedurave ligjore në fuqi, Drejtoren e Institutit të Statistikave, zj. Ines Nurja, një eksperte karriere e statistikave kombëtare, duke e zëvendësuar atë me z.Gjergj Filipi, drejtor i Institutit 'Agenda', tashmë edhe haptazi jo të pavarur.  Sot, të gjitha paralajmërimet e Partisë Demokratike lidhur me fushatën e spastrimeve politike dhe emërimeve të reja klienteliste e aspak meritokratike, po vërtetohen katërcipërisht” theksoi Mima.Sipas tij, me anë të shkarkimit të drejtoreshës së INSTAT-it kuptohet qartë qëllimi i atentatit ndaj konsensusit me shtyrjen e futjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil.“Statistikat e vendit, një krenari kombëtare e cituar pa përjashtim në të gjitha raport-progreset e Bashkimit Evropian, kanë pësuar sot atentatin më të rëndë dhe paralajmerimi tjetër i Partisë Demokratike për kapjen e statistikave të vendit dhe vendosjen e tyre nën thundrën e kryeministrit të ri të vendit, është sot plotësisht i vërtetuar” shtoi Mima.