Basha takon përfaqësuesit e BB-së, shpreh shqetësimet për vendimet e qeverisë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar sot me përfaqësuesit e Bankës Botërore, Drejtorin Ekzekutiv Piero Cipollone dhe Drejtoreshën për Rajonin e Europës Juglindore Ellen Goldstein.Kreu i opozitës dhe përfaqësuesit e BB-së pëtën një bashkëbisedim dhe shkëmbim idesh lidhur me bashkëpunimin e suksesshëm shumëvjeçar mes Bankës Botërore dhe Shqipërisë, arritjet e Shqipërisë veçanërisht nën qeverisjen e demokratëve, si edhe me pikëpyetjet që po shoqërojnë zhvillimet ekonomike dhe fiskale në këto muaj të parë të qeverisjes socialiste.Nga ana e tij,Basha bëri një ekspoze të situatës makroekonomike dhe makrofiskale si dhe të zhvillimeve më të fundit që kanë pasuar rotacionin politik në Shqipëri. Ai i shprehu bashkëbiseduesve shqetësimet e lindura përgjatë një muaji të qeverisjes së re socialiste, që kishin të bënin me fusha të tilla si: ligji i nëpunësit civil, Akti Normativ për ndryshimet në ligjin e buxhetit, anulimet e koncesioneve të ligjshme në mënyrë të njëanshme nga Qeveria socialiste, prognozat aspak optimiste lidhur me zhvillimet ekonomike në vend si dhe pasigurinë që po zë gjithmonë e më shumë vend në planet e konsumatorëve dhe biznesplanet e investitorëve.Basha, në veçanti u ndal në zhvillimet në fushën e administrimit fiskal, fushë e cila është bërë arenë e emërimeve politike dhe aspak meritokratike, emërime të cilat po kushtëzojnë borxhimin e mëtejshëm të vendit në nivele të panjohura më parë. Basha informoi bashkëbiseduesit lidhur me detaje të Aktit Normativ për ndryshimet në buxhet si dhe me shkeljet e dukshme ligjore që e bashkëshoqërojnë këtë akt, i cili sanksionon marrjen e huave të reja, jo më për investime publike siç e kërkon ligji, por tashmë edhe për shpenzime administrative dhe operacionale.Kreu i opozitës, gjithashtu u kërkoi bashkëbiseduesve që të vazhdojnë të jenë pranë Shqipërisë, si deri më sot, me programe dhe projekte zhvillimi dhe në të njëjtën kohë paraqiti idetë e tij lidhur me prezantimin e kushteve monitoruese, strikte ndaj Qeverisë shqiptare për të qenë në gjendje që të përfitojë nga kreditë dhe programet e tjera të mbështetjes buxhetore nga Banka Botërore.