“Adem Jashari” bashkon 3 qeveri, Thaçi- Erdogan-Rama përurojnë aeroportin
Tre kryeministrat, ai i Shqipërisë Edi Rama, i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, janë takuar sot në Kosovë.Kryeministri Edi Rama ka mbërritur i pari në Kosovë ku është pritur me një ceremoni zyrtare nga homologu i tij kosovar Hashim Thaçi, ndërsa 1 orë më pas ka mbërritur edhe kryeministri i Turqisë Erdogan i shoqëruar edhe nga bashkëshortja.Dy kryeministrat, ai i Shqipërisë dhe i Turqisë kanë marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së terminalit të aeroportit ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, ndërsa më pas do të ketë një takim mes tre kryeministrave Rama-Thaçi-Erdogan në Prizren.Në fjalën e tij, kryeministri Rama vlerësoi lart figurën e Adem Jasharit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
"Nuk mund të kishte një emër më të goditur për aeroportin e Kosovës së pasluftës sesa emri i njeriut që i dha krah me jetën dhe vdekejn e tij ëndrrës së Kosovës së lirë dhe të pavaurur, shtet në mes të Europës. Adem Jashari është emri i krenarisë së këtij vendi dhe nga sot Kosova do të presë me krenari nga kjo portë miqtë e vetë që shtohen dita-ditës” tha Rama.Më tej Rama theksoi rëndësinë e partneritetit strategjik Shqipëri-Kosovë-Turqi, për të mirën e popullit shqiptar dhe atij turk.“Kryeministri Erdogan është miku dhe vëllai ynë i pandarë në ditë me diell arritjesh të bukura si kjo e sotmja, por dhe në kohë të vrenjtura kur miqtë e vërtetë dallohen mbi të tjerët. Askush nuk do ta harrojë përkushtimin dhe mbështetjen e tij të paçmuar për pavarësinë e Kosovës. Me kënaqësinë e jashtëzakonshme por edhe me privilegjin për të qënë në krah të dy miqve në rrugën e përbashkët të partneritetet strategjik ndaj nesh për të mirën e popullit shqiptar dhe popullit turk dhe për të forcuar bashkëpunimin mes tre vendeve unë ju falenderoj për vëmendjen dhe zoti e bekoftë Kosovën” u shpreh më tej Rama.Nga ana e tij, kryeministri turk, Erdogan duke folur për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës, për këtë sukses e përgëzoi kryeministrin Hashim Thaçi dhe konsorciumin turko-francez.“Sa herë vij në Kosovë, ndjehem si në shtëpinë time. Çdo herë shohim përparime të vazhdueshme. Kjo është një e arritur e madhe. Kosovën kemi mbështetur në të kaluarën, e mbështesim tash, dhe do ta mbështesim gjithmonë. Me Kosovën kemi një kulturë të përbashkët. Urojmë që ky Aeroport t’ia hapë dyert Kosovës për një zhvillim më të hovzhëm ekonomik”, ka theksuar Erdogan.Ndërsa kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është shprehur se së shpejti do të plotësohet edhe ëndrra që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza përmes aeroportit “Adem Jashari”.Sipas tij Kosova tashmë është hapur për botën, dhe se edhe bota është e hapur për Kosovën.“Ky Aeroport ka një vlerë të shtuar përtej asak ekonomike. Detyra jonë si lidership ekonomik, e imja si kryeministër që të ketë investim mbi 1 milion euro, ta shndrrojmë një mundësi të re me botën. Kosova është gati për botën, por edhe bota ka hapur dyert për Kosovën. Së bashku ta shndrrojmë Kosovën në pikë lidere të aviacionit. Aeroporti Ndërkombëtar “ Adem Jashari”, sot ka numrim më të madh të pasagjerëve në rajon dhe është detyrë që qytetarët të udhëtojnë pa viza jo më për të emigruar më por për të marrë përvoja të reja, për të marrë eksperienca të reja dhe për të sjellë investime. Kosova është një shtet i mundësive të mëdha dhe ne bashkarisht po e shndërrojmë Kosovën në një kantier ndërtimi dhe këtë muaj ne do të inagurojmë autostradën më të mirë në rajon. Ne sot po ndërtojmë Kosovën e ëndrrave tona, Kosovën europiane” tha Thaçi.Aeroporti “Adem Jashari” ështe dhënë me koncesion konsorcumit turko-francez “Limak Aeroport de Lyon”.