"Dema pa brirë", Lushnja mposht Partizanin

Pas katër javësh “agjërim”, skuadra e Artan Banos rikthehet te fitorja. Madje e bën këtë ndaj një emri të madh, Partizanit, me të cilin rivalizonte ethshëm edicionin e kaluar, në Kategorinë e Parë, në përpjekje për t’u rikthyer në elitë, ku zhvilluan këtë të shtunë edhe përplasjen e parë, si pjesë e Superiores.Lushnja vinte në këtë takim vetëm me një objektiv, marrjen e trepikëshit, pasi kishte katër javë që nuk e njihte shijen e fitores. Stafi teknik kishte punuar në këto dy javë me futbollistët, ndaj pritej që ata të jepnin më të mirën në fushën e lojës.Në “llogoren” tjetër, Partizani vinte pas fitores së shumëdiskutuar në derbin me Tiranën, ku goli i vetëm i Demirit do të shtonte tri pikë të tjera në llogarinë e skuadrës së Likës.