PD akuza Tahirit: Kriminaliteti po rritet, Ministri shfaqe mediatike

Partia Demokratike ka dhënë alarmin sot për rritje të nivelit të krimit në vend. Në një prononcim për mediat, deputeti i kësaj partie, Keltis Kruja, tha se qeveria dhe Ministri i Brendshëm po veprojnë në pakt me dorë të hekurt kundër oficerëve profesionistë në kundërshtim të plotë me ligjin për policinë e shtetit dhe po i lënë dorë të lirë krimit.“Teksa Ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e ri të policisë së shtetit janë përfshirë në marrëzinë e shkarkimeve kolektive dhe në ethet e emërimeve të oficerëve të tyre besnikë vjedhje, krime,aksidente dhe vrasje po ndodhin cdo ditë në Shqipëri. Javën e fundit janë trefishuar vjedhjet e banesave, janë dyfishuar vjedhjet e makinave, është rritur dyfish krimi i vendosjes së lëndës eksplozive në banesa dhe biznese, janë rritur aksidentet dhe vrasjet dhe ka rënë fuqia zbuluese e policisë së shtetit. Qeveria e sotme premtoi reduktim të krimit, por ngjarjet e ditës tregojnë se krimi është trefishuar dhe pasiguria e jetes është rritur në nivele të frikshme.Qeveria dhe Ministri i Brendshëm po veprojnë në pakt me dorë të hekurt kundër oficerëve profesionistë në kundërshtim të plotë me ligjin për policinë e shtetit dhe po i lënë dorë të lirë krimit” tha ai.Në vijim të deklaratës, deputeti demokrat apeloi qeverinë të heqë dorë nga spektakli i ekraneve dhe të zbresë në terren për të bërë detyrën e saj në mbrojtje të jetës së qytetarëve.“PD është e shqetësuar nga kjo situatë dramatike dhe gjendet pranë të afërmëve dhe familjarëve të viktimave. Ne nuk jemi opozita që kërkon përfitim politik prej viktimave dhe funeraleve, siç rëndom ka bërë në 8 vite Kryeministri i sotëm, por jemi të shqetësuar për pasigurinë që shoqëron sot jetën e qyetarëve shqiptarë. Ne i kërkojmë qeverisë të heqë dorë nga spektakli i ekraneve dhe të zbresë në terren dhe të bëjë detyrën e saj në mbrojtje të jetës së qytetarëve. Shqiptarët meritojnë të kenë një qeveri që të garantojnë sigurinë e jetës së tyre dhe jo një tufë zyrtarësh që rendin kush e kush të pushtojë më parë ekranet, revistat dhe gazetat” përfundoi Kruja.