PS: Bode e zhyti vendin në borxhe

Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Korçës, Sotiraq Filo, ka reaguar ndaj akuzave të bëra ndaj tij dhe ish-kryebashkiakut Niko Peleshi për shpërdorim fondesh, akuza këto të hedhura një ditë më parë nga ish-Ministri i Financave Ridvan Bode. Sipas Filos, Bode është ai që e zhyti dhe e ka lënë Shqipërinë në borxhe.Akuzat ndaj Filos dhe Peleshit Bode i bëri një ditë më parë në një dalje për mediat, ku deklaroi se qeveria demokratike i ka dhënë Korçës mbi 11 milionë euro fonde që janë shpërdoruar në mënyrë brutale.Sipas Bodes mungesa e investimeve në infrastrukturën e brendshme të qytetit, gjelbërimi, pastrimi, administrimi i territorit, i ka dhënë Korçës një pamje tjetër nga ajo që ky qytet meriton të ketë.Ndërsa “Çiraku i usta Peleshit“ siç e ka quajtur Bode kandidatin e PS për kryetar Bashkie Sotiraq Filon, kërkon t’i justifikojë këtë gjendje me mungesën e përkrahjes të ish-qeverisë Berisha. Sipas Bodes problemi kryesor i bashkisë Korçë është paaftësia dhe klientelizmi në ecurinë e të ardhurave të taksave vendore.